Musliu: Shqiptarët e Luginës së Preshevës i besojnë Kosovës

0

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, ka deklaruar se nuk është e hera e parë që serbët në platformat e tyre politike e kanë Kosovën në qendër të vëmendjes dhe kjo retorikë daton shumë më herët që nga koha e Nemanjës.

Ai ka thënë se Serbia është në halle të mëdha dhe me shumë probleme. “Betimi i presidentit serb Aleksandër Vuqiqit, u ndesh me protestat e qytetarëve. Ai nuk është president i tërë popullit serb”, ka thënë Musliu sot në emisionin “n’Kuvend” në RTK.

Sipas Musliut, shqiptarët duhet të mobilizohen dhe të ia dalin karshi serbëve. “Deri sa bisedohet Serbi-Kosovë, duhet që të bëhet diçka dhe të ndalen bisedimet”, ka thënë ai.

Sipas tij duhet të ketë dialog ndërmjet serbeve të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. “Nuk duhet të ketë bisedime për problemet e serbëve të Kosovës me Serbinë”, ka thënë ai.

Musliu ka thënë se dihet se si ka qenë politika e Vuqiqit.

Musliu ka folur për problemet që po ndeshen shqiptarët në Luginë të Preshevës.  “Serbia nuk është e interesuar të dijë për hallet tona”, ka theksuar ai.

Musliu ka thënë se shqiptarët duhet të kenë platformë. Ai ka thënë se duhet monitoruar situatën. “Serbia ndan miliona euro për serbët e Kosovës”, ka thënë ai. Sipas tij rruga e shqiptarëve të Luginës, është drejt Tiranës dhe Prishtinës.

Ai ka vlerësuar se është bërë e dhunshme ndarja e Kosovës dhe e Luginës së Preshevës. “E tërë energjia e popullit të Preshevës është e orientuar ka Kosova. Ka shumë të diplomuar në Kosovë dhe Shqipëri. Ka mungesë të njohjes së diplomave të tyre. Për shkak të problemeve që i kemi duhet të kemi platformë”, ka thënë ai. Musliu ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës i besojnë shtetit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com