Muçibabën nuk e ndërron me Minhenin, e as gomarin nuk e jep për BMW (Foto)

0

Ai nuk ka shtëpi të veten, ngase ajo që e pati, iu dogj gjatë verës. Veturë nuk ka pasur kurrë. Por, i ka tre gomarë, me të cilët bart ujë për nevojat e familjes. Nga aty ku banon, vendi ku e merr ujin është 1.500 metra larg.
Që prejse iu dogj shtëpia, Vehid Ibrahimi është futur në objektin e shkollës në fshat dhe aty banon bashkë me familjen pesë anëtarëshe. Është kryetar i fshatit Muçibabë dhe më shumë se për vete interesohet për të tjerët.

Gomar

Tashti, kur shumë banorë po ia mësyjnë Perëndimit në kërkim të një jete më të mirë, Vehid Ibrahimi, thotë se fshatin e tij nuk do ta ndërronte me Munihun. E meqë më me dëshirë jeton në fshat dhe për shkak të konfiguracionit të terrenit që ka ai, prandaj BMW-ja nuk do t’i bënte punë – ai as gomarin nuk do ta ndërronte me një veturë të tillë. “Nuk ka veturë që mund të hyjë atje ku mua më duhet të shkoj, nëpër baltë e terren të papërshtatshëm. Atje mund të shkojë vetëm me gomarët e mi, të cilët janë gjëja më e vlefshme që kam”, thotë ky banor i këtij fshati kufitar. “Të gjithë ata që po ikin janë më të pasur se unë, ngase më fukara sesa unë nuk ka. E mua edhe nëse më japin gjysmën e Gjermanisë, unë nuk shkoj”, thotë Vehidi, i cili shton se megjithatë nuk e ka jetën e lehtë, ngase nuk ka shtëpi, rrugë nuk ka, ujë e dru bart me gomarë, e sidomos për faktin se që 15 vjet nuk e di se çka është të marrësh një pagë.

Gomar-1

Atij i vjen keq që jeton në objektin e shkollës, që ua ka zënë fëmijëve hapësirën për mësim, por thotë se nuk ka kah t’ia mbajë, ngase i ka pesë anëtarë të familjes. Përkundër këtyre, ai tregohet edhe idealist – thotë se është i kënaqur që jeton në një shtet që tashmë është i pavarur dhe I lirë, ngase kujton kohën se si jetonte dikur. /Zëri/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com