Muaji Muharrem, përkushtim dhe devotshmëri për sakrificën (Video)

0

auto_tetqja-e-madhe-3110141414764446

Është muaji Muharrem, në Teqenë e Madhe të Gjakovës, e cila ka disa vjet që njihet me emrin Autoqafal – Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike. Autoqefaliteti i këtij institucioni të besimit islam, me ndikim në Gjakovë e më gjerë në Dukagjin, në trevat shqiptare në Maqedoni, Kosovë Lindore e Shqipëri, u zyrtarizua nën mandatin e postmbajtësit aktual të Teqesë, Shkëlqesisë së Tij, Sheh Musa Shehu.

Kjo teqe e tarikatit Saadi, u themelua në vitin 1582, nga shehu i saj i parë Sheh Sylejman Axhiza Baba, i cili shërbimin e vazhdoi edhenë Prizren, duke themeluar teqenë tjetër në vitin 1608, buzë Marashit e Lumbardhit, aty ku edhe sot e kësaj dite e ka tyrben.

Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike në Gjakovë u ndërtua njëkohësisht me Xhaminë Hadumit, në të cilën myezin i parë ishte pikërisht Sheh Danjolli i kësaj teqeje. Sipas literaturës, bashkë me Xhaminë e Hadumit, kjo teqe shënon edhe fillet e ngritjes së qytetit të Gjakovës.

Për po kaq shekuj në këtë teqe është mbajtur e shënuar edhe muaji i shenjtë i Muharremit, si respekt e përkujtim për dëshmorët e Qerbelasë. Një ndër dervishët e kësaj teqeje, Dervish Faik Doda, shpjegon për KosovaPress se si mbahet muaji Muharrem nga besimtarët.

Sakrificën e Qerbelasë e respektojnë dhe kujtojnë, përveç tarikatit Saadi edhe 11 tarikatet tjera që shërbejnë ndër shqiptarë, Kadiri, Rrufai,Shazeli, Halveti, Bektashi, Bedevi,Mevlevi, Nakshibendi, Jesevi, Desuki, Bajrami. Por të vërtetën e kësaj ndodhie, 14 shekuj më parë, kur pasardhësit e familjes së profetit u masakruan nga famëkeqi i kësaj lufte, Jezidi, dhe pse tarikatet e ndjekin këtë rrugë dhe e mbajnë zinë e Muharremit, ngjarjes që ndodhi në dhjetë ditët e para të këtij muaji, i ka treguar Dërvish Doda.

Tarikati Saadi, por dhe të gjitha tarikatet tjera e kujtojnë këtë sakrificë. Por, a ka dallime midis tyre, në mënyrën se si e përkujtojnë dhe mbajnë Muajin Muharrem, këtë e shpjegon Dërvish Doda.

Për dhjetë ditë me radhë, të Muajit të Shenjtë të Muharremit, secili besimtar shkëputet nga jeta e përditshme, nga rutina, dhe i përkushtohet në një jetë tjetër respektit për Qerbelanë dhe atë që i ndodhi familjes së Profetit Muhamed.

Njerëzit largohen nga të gjitha kënaqësitë, ndryshojnë të ushqyerit, veshmbathjet, dukjen. Gjithçka është më e thjeshtë se rëndom. Kurse, pas krejt kësaj devotshmërie e përkushtimi, me mbarimin e ditës së dhjetë të Muharremit, vjen një moment tjetër, ai i ritualit të Ashures.

Por në këtë teqe ku historikisht qëndrojnë krahas flamuri i kombit, si i pari, dhe ai teqesë, portreti i Skënderbeut dhe ai i Imam Aliut, ashurja tashmë është bërë tradicionale edhe në një festë tjetër kombëtare.

Pas shpalljes së autoqefalitetit të Teqesë, Postmbajtësi i tashëm i saj, Shkëlqesia e Tij Sheh Musaja, ka marrë vendim që të shpërndajë tradicionalisht, tash e tri vjet edhe Ashurën e Pavarësisë së Kosovës. Ajo shpërndahet falas për qytetarët në secilin përvjetor të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

“Së pari duhet t’i nderojmë e kujtojmë heronjtë tanë, luftërat tona kombëtare, e atëherë mund dhe duhet t’i nderojmë edhe heronjtë dhe ngjarjet fetare”, ishte mesazhi i përcjellë nga Sheh Musa Shehu, Postmbajtës i Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike, duke elaboruar kuptimin e ashures tradicionale të kësaj teqeje, që shpërndahet në Gjakovë, në përvjetorët e Muharremit dhe në ata të Pavarësisë së Kosovës.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com