Mos e harroni vullnetin e porosinë e votuesve

0

votat

24 prilli 2016, ishte ditë e votimeve edhe në fshatrat e Malësisë së Bujanocit: Priboc, Zarbicë, Suharrën e Novosellë, Ramabuqë, Gjergjec, Qarr, Muhoc etj.
Në mënyrë të veçantë, interesimi ishte në qendrën e vendvotimit në Zarbicë, ku tani jetojnë një numër i vogël i familjeve shqiptare. Megjithatë, banorët e ndjekur e të shpërngulur, po që kanë shtetësi të Serbisë, kishin vendosur që të dalin të votojnë për të preferuarit e tyre, këshilltarë komunal për komunën e Bujanocit
Që në orët e hershme të mëngjesit, aktivistë të shumtë të banorëve që janë duke jetuar në Gjilan kishin dal në stacionin e autobusëve dhe drejtonin votuesit në autobusët dhe automjetet tjera që kishin organizuar për t’i dërguar votuesit në Muhoc, Zarbicë e Qarr. Disa ditë më parë fushata dhe organizimi ishte bërë me një vullnet e me një përkushtim të madh, nga vet aktivistët e fshatrave të Malësisë së Bujanocit.
Edhe pse shpesh është dëgjuar nga qytetarët se të gjitha partitë dhe udhëheqësit e tyre kanë bërë shumë pak për këto fshatra dhe se nuk do të dalim të votojmë më për as një parti, megjithatë, edhe kësaj here kishin dal të votojnë, që komuna e Bujanocit të qeveriset nga këshilltarët shqiptarët, përkatësisht nga shumica shqiptare që jetojnë në këtë komunë. Përsëri, pra, votuesit i lanë inatet, (sepse ata falin për hir të çështjeve më të mëdha), dhe dolën e votuan që të mos lejojnë që shumica shqiptare në komunën e Bujanocit të qeverisen nga pakicat.
Votuesit edhe kësaj here patën moton: “le të fitojë kusht të fitojë, vetëm të jenë shqiptarë “
Po ashtu, si duket, edhe politika e Beogradit, që t’ua pasivizojnë vendbanimet, një pjese bukur të madhe të shqiptarëve të fshatrave të Malësisë, duke i hequr edhe nga lista e votueseve, ka qenë edhe një shtysë shtesë që, ata që kanë të drejtë të votojnë, të dalin e të votojnë.
Prandaj, këtë entuziazëm të madh të qytetarëve, nuk duhet ta injorojnë në të ardhmen ata që kanë fituar besimin për të qeverisur me komunën e Bujanocit.
Ata porosinë e qytetarëve duhet të qojnë në vend duke u bashkuar të gjitha partitë shqiptare në komunën e Bujanocit që të qeverisin me dinjitet. Siç u pa nga numri i fituar i këshilltarëve shqiptarë në komunë të Bujanocit, të gjithë së bashku mund ta formojnë qeverinë komunale pa pasur nevojë që t’i marrin në qeveri partitë serbe.
Kërkesën e vullnetin e votueseve shqiptarë që: “le të fitojë kusht të fitojë, vetëm të jenë shqiptarë “ nuk duhet ta harrojnë partitë shqiptare kurrsesi, sepse kanë përgjegjësi për ato treva të banuara me shumicë shqiptare, kanë ëgjegjësi që të mos t’i lshojnë vatrat e veta shqiptarët në heshtje, ashtu siç ka ndodhur deri më tani.
Të kujtojmë zgjedhjet e vitit 2012, kur votuesit shqiptar i nxorën 30 këshilltarë shqiptarë dhe shumë lehtë kishin mundësinë ta qeverisin komunën e Bujanocit si është më së miri. Por interesat personale ambiciet për karrige, ambiciet për të qenë i pari komunës secili nga ata (po për kryetar është një vend e jo tri e katër) bënë që partitë minoritare të Bujanocit t’u marrin drejtoritë e rëndësime, duke u bërë kështu pengesë për shumë procese të zhvillimit ekonomik, kulturor, shëndetësor e të mirëqenies së shqiptarëve në komunën e Bujanocit.
Prandaj, qytetarët shqiptarë kërkojnë, apelojnë, luten, që këtë herë, e që është momenti i fundit, të bashkohen të gjitha partitë shqiptare, sipas forcës së votës që kanë të qeverisin komunën e Bujanocit pa inate, pa ambicie karrieriste e kolltukofage. Të qeverisin së bashku, në mënyrë që mundësisht, të parandalojnë zbrazjen e këtyre trevave, të parandalojnë heqjen e shtetësisë, të parandalojnë provokimet e shantazhet e shqiptarëve që po bënë pushteti serb me forma të ndryshme, siç është rasti i fundit me familjen e Selami Bajramit në Suharrën ( pa i përmendur plot e plot raste të provokimeve që i bënë pushteti shqiptarëve, me qëllim largimi nga vatrat e tyre), të punojnë për zhvillimin ekonomik e posaçërisht të krijojë kushte për të gjitha ata që janë duke jetuar në fshatrat e Malësisë së Bujanocit, sikurse edhe për të mundësuar kthimin e atyre që dëshirojnë të kthehen në tokat e veta.
Partitë politike në Bujanoc t’i lënë xhelozit, e të bashkohen, tani, pas zgjedhjeve (sepse para zgjedhjeve nuk u bashkuan), e të tregojnë se janë për të ecur përpara së bashku, për të krijuar kushte të mira jetese për çdo qytetar e për të zhvilluar demokracinë, paqen e mirëqenin e tyre.
Të ndryshojnë nga qeverisja e deritashme 15 vjeçare.

Ismet Tafili & Sejdulla Kadriu

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com