Midis protestës dhe emigrimit

0

mentori

Ky nuk është një rrëfim melodramatik për një seri me shumë episode mbi emigrimin e shqiptarëve. Nuk është komedi televizive mbi mërgimin, por është një dramë mbi ikjen e një turme të shpartalluar të qytetarëve tanë nga vendlindja e tyre.

Nuk është melodramë, ani pse disa prej argumenteve që i përdorin protagonistët nëpër media janë deklarata që ngjajnë komike. Deklarata komike sepse për kosovarët nuk është asgjë e re: ikja nga vendlindja, dyndja nga një shtet në shtetin tjetër dhe emigrimi e lypja e azilit në një vend të huaj.

Të deklarohesh se ke ikur për shkak se u bë më keq se në kohën e paraluftës është sa komike aq edhe dramatike. Të thuash se ke ikur për arsye ekonomike, ndërkohë që synon kampin e refugjatëve është gjithashtu dramatike.

Të thuash se të duhet të shkosh të kërkosh azil me gjithë familjen, me të mitur e me foshnja, duke e ditur se do të mbarosh në një strehimore në hangar është përtej dramatikes. Dhe të thuash për fund se të zunë policia, por do të provosh përsëri të dalësh gjetkë, në një vend më të mirë, për një jetë më të mirë, është përtej poetikës, tmerrësisht dramatike. Dramë, së cilës për shkaqe humane i duhet një shkëputje tjetërsimi.

Drama në zhargonin gjuhësor është një veturë. Një veturë që si makinë, mendoj stilistikisht është e ndërtuar për nevoja individuale. Dramat janë adaptuar me kohë: familjare, sportive, transportuese e rekreative, por në thelb mbeten me synim individualitetin.

Për dallim, për shembull nga karvanët, furgonët apo veturat e kampingut që janë familjare. Por, këtu nuk bëhet fjalë për vetura dasmash, por për autobusë, që nuk janë makina individuale e as makina familjare. Janë makina që mbartin grupe njerëzish. Grupe njerëzish që mendojnë pak a shumë njësoj dhe që kanë një ideologji dhe një  synim të përbashkët: braktisjen e atdheut. Braktisjen e këtij vendi që e meritoi lirinë e vet me sakrifica e me luftë.

Grupi i dytë i të tjerëve nga rolet e dytësorëve i komentojnë ngjarjet e fundit në Kosovë. Dhe disa prej këtyre deklaratave nuk janë aspak vendore, dhe aspak kosovare. Në fakt janë një përzierje mendimesh nga diaspora me interpretimet e tjera nga bashkatdhetarët tanë nga rajoni. Si mund të jetosh në një vend tjetër e të deklarohesh për një situatë në një vend tjetër.

Për shembull: disa prej tyre përkrahin një parti të caktuar opozitare dhe kundërshtojnë Qeverinë, e nuk janë as partiak e as opozitar të vërtetë meqë jetojnë në një vend tjetër, e jo në Kosovë, dhe të tjerët që e kritikojnë opozitën, le të themi protestuesit për vandalizëm, ndërsa si banorë nuk janë nga Kosova, por nga rajoni e nga diaspora dhe kurrë s’do të marrin pjesë në ndonjë protestë për ndonjë të drejtë kosovari. Kritikat: “Çfarë shteti është ky…” e “Çfarë Qeverie është kjo…”, ndërsa as jetojnë në këtë shtet e as kanë votuar ndonjëherë për këtë Qeveri. Kaq do të duhej të dinin të gjithë bashkatdhetarët madje edhe ata që priren t’i kritikojnë të drejtat e protestuesit duke mos qenë kurrë një qytetar i Kosovës që ka humbur të gjitha shpresat për një jetë më mirë, por ka ruajtur besimin për të marrë fatin e vet në duart e veta.

Ishte një deklaratë e mençur në internet: “të gjithë ikin, të gjithë largohen, të gjithë përshëndeten, unë jo, unë jam ndryshe; unë përtoj”. “Të përtosh” është një pamundësi e madhe për një individ që i duhet të përballet me këto kushte jetese. Le të themi me papunësinë, pa perspektivën dhe mungesën e identitetit.

Një pengesë enorme në start të jetesës duke qenë së bëhet fjala për të rinjtë dhe për shtetin e ri të Kosovës. Pra, është një barrierë që bëhet sa një mal. Sa një mal i dendur që ngjitet në qiell me pemë e me degë të mëdha. Sa një maje mali që e zë breshëri e bora.

Atje ku nuk ngjitet vetura, por as autobusi e as treni. Atje ku ngjiten, vetëm luhatjet e lirisë, të frymës dhe rrezeve të diellit. Atje, ajri është vendor.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com