Meta: Lugina ka një domethënie të veçantë për Shqipërinë dhe për popullin tonë

0

Kryeparlamentarja e Republikës së Serbisë, Maja Gojkoviq ka mbërritur sot në Tiranë me ftesë të homologut të saj shqiptar, Ilir Meta. Kjo është vizita e parë e një kryeparlamentari serb në Shqipëri, ndaj dhe Gojkoviq nuk nguroi ta quante historike.

Meta-Gojkovic

Nga ana e tij edhe Meta e cilësoi vizitën e homologes së tij serbe në Tiranë, si tregues të qartë të vullnetit të dy shteteve për forcimin e bashkëpunimit dhe tejkalimin e barrierave të së kaluarës.
Në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeparlamentaren e Serbisë, Meta theksoi se të dyja palët do të punojnë që vullneti pozitiv për thellimin e bashkëpunimit të materializohet në avancimin e projekteve madhore.

Me të tjerash kryeparlamentari shqiptar theksoi rëndësinë e garantimit të të drejtave për shqiptarët e Luginës së Preshevës, që siç tha ai, duhet të shërbejnë si një urë e fortë bashkëpunimi mes dy vendeve.
“Kemi diskutuar për intensifikimin e kontakteve dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Serbisë, e në veçanti jemi fokusuar te thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërparlamentar midis dy vendeve. Kemi ndarë bindjen e përbashkët se gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë ngritur në një nivel të ri, më dinamik”.
“Dua të vlerësoj në këtë drejtim rritjen e cilësisë së komunikimit dhe veçanërisht intensifikimin e vizitave reciproke të nivelit të lartë, siç ishte vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd apo siç do të jetë besoj edhe vizita e pritshme e kryeministrit Aleksandër Vuçiq në Tiranë, vizita të cilat i shërbejnë bashkëpunimit konkret dypalësh në shërbim të mirëqenies dhe zhvillimit ekonomiko e social të qytetarëve tanë”, tha Meta.

Meta foli edhe për Kosovën dhe Luginën e Preshevës ndërsa tha se shqiptarët e Luginës duhet të përfshihen më shumë në vendimmarrjen politike.

“Kam shprehur vlerësimin tonë maksimal për mbështetjen e avancimit të dialogut dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dhe kam nënvizuar se Shqipëria mbështet plotësisht zbatimin integral të marrëveshjes së prillit me ndërmjetësimin dhe asistencën e Bashkimit Evropian”.

“Për sa i përket popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, është e natyrshme që ajo ka një domethënie të veçantë për Shqipërinë dhe për popullin tonë. Dua të ritheksoj se ne e shohim mirëqenien dhe integrimin me të drejta të plota të pakicës shqiptare në Serbi si një gur themeltar të rëndësishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe si një urë të fortë bashkëpunimi dhe miqësie midis nesh. Pjesëmarrja gjithnjë e më e madhe e shqiptarëve në vendimmarrjen politike e sociale të Serbisë, i shërben konsolidimit të partneritetit rajonal mes dy vendeve tona”, tha Meta.
Nga ana e saj edhe kryeparlamentarja serbe tha se mes dy vendeve ka një bashkëpunim të mirë, që duhet të përmirësohet më tepër në aspektin ekonomik dhe atë parlamentar. Sipas saj Shqipërisë dhe Serbisë i mungonte bashkëpunimi ndërparlamentar, gjë që u realizua me këtë vizitë.

Më tej Gojkoviq duke iu referuar Kosovës, tha se Shqipëria dhe Serbia kanë ende çështje për të cilat nuk pajtohen, por kjo nuk ka pse të pengojë bashkëpunimin për çështje të tjera.
“Ajo që mungonte në marrëdhëniet tona ishte pikërisht bashkëpunimi ndërparlamentar. Shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë një ftesë Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për një vizitë në Beograd, një vizitë në Parlamentin tonë për të nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunimin midis dy parlamenteve tona, ku do të përcaktohen fushat në të cilat duhet të bashkëpunojmë”.

“Një çështje shumë e rëndësishme është bashkëpunimi midis dy vendeve për integrimin evropian, sepse edhe Serbia dhe Shqipëria kanë një qëllim të përbashkët dhe ky qëllim është anëtarësimi i plotë në BE. Nga ana tjetër edhe Shqipëria edhe Serbia kanë disa çështje më të cilat nuk pajtohen, por gjithashtu edhe anëtarët e Bashkimit Evropian kanë të njëjtat gjëra. Por bashkëpunimi midis tyre përsëri vijon për ato çështje për të cilat nuk kanë asnjë ndarje, kështu që duhet të ndjekim edhe ne atë shembull dhe të bashkëpunojmë në fushat ku jemi dakord dhe për çështjet e tjera të hapura do të bisedojmë më vonë”, tha Gojkoviq, e cila gjatë vizitës së saj në Tiranë, do të takohet me krerët më të lartë të vendit, presidentin Bujar Nishani dhe kryeministrin Edi Rama.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com