Mesazhi i Lidhjes të Prizrenit i papërmbushur

0

Me të njëjtën datë të vitit, identifikohen tri ngjarje të shënuara për historinë e popullit shqiptar të Kosovës.

auto__Lidhja__Prizrenit1433953081

10 qershor 1878 mbahet Lidhja e Prizrenit, 10 Qershor 1999 miratohet Rezoluta 1244, si dhe 10 qershor 2015 rivarroset heroi Isa Boletini.

Këto data një rastësi apo të “kurdisura”, sipas historianëve dhe njohësve të rrethanave aktuale, dëshmojnë për historinë e një populli, që nuk përjetoi vijimësinë dhe realizimin e misionit të datës së parë – Lidhjes së Prizrenit.

Historiani Nuridin Ahmeti, hulumtues shkencor në Departamentin e Historisë në Institutin Albanologjik të Kosovës thotë për “Zërin” se qëllimi i Lidhjes së Prizrenit qëndron mbi dy datat e tjera.

Ai thotë se mesazhi i kësaj lidhjeje nuk është realizuar.

“Sado që vendi, pati burra të mëdhenj pas kësaj date, sikurse dhe Isa Boletini, pavarësisht veprimtarisë së tyre nuk është arritur të plotësohet mesazhi i Lidhjes të Prizrenit. Dhe në këtë drejtim mesazhi i dal nga Prizreni në vitin 1878 duhet të përmbushet”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se Lidhja e Prizrenit është e pa krahasueshme me rrethanat tjera që kanë pasuar.

“Tash është barra e intelektualëve që ta plotësojnë këtë amanet”.

Ahmeti thotë se bashkimi nuk duhet të nënkuptojë vetëm bashkimin klasik, por edhe atë intelektual.

“Duhet të bashkohen kokat e intelektualëve të Tiranës, Prishtinës, Shkupit…Nuk kemi bashkëpunim ndërakademik. Mjafton të shikohet bashkëpunimi ndërmjet akademive, instituteve, apo bibliotekat e akademive ku një tekst i botuar nga njëra akademi nuk gjendet në bibliotekën e akademisë tjetër apo anasjelltas”.

Historiani Ahmeti thotë se intelektualët e kanë përsipër ta bashkojnë popullin.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen të Drejtat, dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) Behxhet Shala thotë se të drejtat dhe synimet e shqiptarëve shumicë të Kosovës nuk janë arritur.

Këto tri data në një ditë, ai thotë se janë procese që nuk lidhen ndërmjet vetës, janë më shumë rastësi dhe procese të palidhura me njëra-tjetrën.

Shala flet me tone negative për Rezolutën 1244, që sipas tij i jep të drejta më shumë pakicës sesa shumicës që jeton në Kosovë.

Kjo rezolutë, sipas Shalës po luan rol negativ në Kosovë sepse i ka krijuar të gjitha parakushtet për formimin e një shteti krejtësisht jo funksional.

“Kosova nuk është as shtet i pavarur, as nuk është sovran, nuk ka shtrirje në krejt territorin, nuk kontrollohet krejt territori”. Kreu i KMDLNJ-së, Shala thotë se Rezoluta 1244 e ka goditur shtetësinë e Kosovës me kohë, e ka pamundësuar për një kohë të gjatë. /Zëri/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com