Medvegja e vogël e Veli Dedit ndodhet në Stublinë
14:56 | 02 Shkurt 2016
Stublina për asnjë çast nuk e ka harruar as prejardhjen e saj dhe as njerëzit e saj trima e luftëtar. Të ardhur nga lagja Dediq e Medvegjës tani banorët e Stublinës kanë propozuar që fshati të mbajë në rrugët e saj dy emra, atë të Veli Dedit dhe Medvegja e vogël.
Stublinaa
Veli Dedi dhe Medvegja e vogël, janë dy propozime që do të mbajnë dy rrugë në fshatin Stublinë. E tërë kjo si shenjë respekti për personalitetin e Veli Dedit dhe për prejardhjen e të parëve të tyre. Të parët e Stublinasve ishin shpërngulur nga lagja e Dediqëve në Medvegjë për tu vendosur aty ku janë sot. Ishte Shaip Sabedini një atdhetar, kombëtar e edukues i madh i cili u motivua nga Gjon Serreqi e Veli Dedi. Dhe mësimet e tregimet e tij për atdheun e shpërngulur dhunshëm janë ngulitur edhe sot e asaj dite tek gjeneratat e reja. Komisioni për plotësimin e emërtimit dhe numërimit të adresave në komunën e Gjilanit tashmë pas propozimeve konkrete ka shqyrtuar dhe propozuar që tri rrugë të mbajnë këta emra “Medvegja e vogël”, “Veli Dedi” dhe “Liria”. Fadil Osmani njëri nga iniciatorët dhe përkrahësit e këtyre emërtimeve thotë se nuk ka më mirë se të kujtosh njerëzit që identifikohen me të afërmit tuaj. “Nuk harrohet lehtë Medvegja, as fjalët e tregimet e gjyshërve tanë. Ata kujtonin me shumë pasion Dediqin, vendin prej nga dhunshëm u shpërngulën. Flisnin për Veli Dedin i cili një kohë e kishte kaluar edhe në Stublinë pak para se të largohej për Shqipëri. Këto emërtime janë më e pakëta që mund të bëjmë për figurat e njohura me renome kombëtare e ndërkombëtare siç ishte Veli Dedi” shprehet Osmani. Edhe Halil Mushica një aktivist e patriot i shquar thotë se jo vetëm komuna e Medvegjës, por edhe Kosova Lindore nuk duhet ta harrojë Veli Dedin. “Mos e harroni figurën madhore të gjeneralmajor Veli Dedit. Nëse Marseji i Francës i ka ngritur përmendore ose emra rrugësh pse ju nuk ndërmerrni një hap për ta nderuar figurën e Veli Dedit”thotë Mushica. Mushica thotë se Veli Dedin e ka njohur përmes Ali Hadrit. “Ali Hadri gjatë bisedave të lira na thoshte se shqiptarët e kanë një gjeneral si Veli Dedi për të cilin duhet të kujdesen historianët shqiptarë që mos ta harrojnë. Dhe këto fjalë të tij kanë ndikuar që unë tani pas kaq vitesh ta përsëris këtë kujdes të Ali Hadrit dhe tua përçojë mesazhin edhe udhëheqësve shqiptar në Kosovën Lindore dhe të pasardhësve të tij që ndodhen në Stublinë të Gjilanit. Figura e Veli Dedit nuk guxon të harrohet sepse atë e kanë nderuar Marseji i Francës me vendosjen e emrit të tij një rruge dhe ngritjen të një përmendoreje. Ne ndërkaq nuk kemi bërë asgjë për të. E lus udhëheqjen e Medvegjës që ta marrë parasysh këtë kërkesë dhe të propozojë ndonjë emër rruge apo busti për Veli Dedin” thotë Mushica. Mushica thotë se për Veli Dedin ka lexuar dhe dëgjuar lloj lloj rrëfimesh interesante. “Ai ishte kolos dhe një ushtarak që do ia kishte lakmi çdo shtet. Pse ne ta harrojmë e ta humbim. Edhe Atifete Jahjaga ose Bujar Nishani duhet ta dekorojnë nëse nuk e kanë bërë këtë deri tani” tha Mushica. Kush ishte Veli Dedi Krijuesi dhe publicisti nga Medvegja Ramiz Kadriu në librin e tij:"Ku na mbeten Trojet tona” ka shkruar më gjerësisht për Veli Dedin. U lind më 5 prill 1912 në Dediq, lagje e Medvegjës. Filloren e kreu në Medvegjë dhe Gazdar, gjimnazin në Leskoc, kurse Fakultetin e Makinerisë në Beograd..Më 1932 shkoi në Shkup dhe punoi në një firmë me qëllim që të shpërngulej në Turqi, por një shkrim i Bedri Pejanit ndikoi që të shkojë në Shqipëri. Atje i lind dëshira që të bëhet ushtarak, por për t’u regjistruar në Akademinë ushtarake Italiane duhej ditur gjuhën italiane. E mësoi shumë shpejt dhe u regjistrua. Gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe gjatë studimeve ne Itali njihet me shumë patriotë shqiptarë, si Bedri Pejanin, Rexhep Mitrovicën, Emrush Miftarin, Ibrahim Gjakovën, Sali Viçitërrnën, Xhemajl Kadën, Asim Vokshin e tjerë. Më 1933 bëhet anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Pasi plas lufta qytetare në Spanjë, merr pjesë në të dhe më 1937 gradohet kapiten, kurse më 1938 dekorohet me Urdhrin e Kavaleristit të Lirisë,,No Pasera” si dhe gradohet në detyrën e shefit Operativ të Divizionit të Ebros. Pas mbarimit të luftës në Spanjë vendoset në një kamp përqendrimi në Francë, gjatë të cilës kohë mësoi rrjedhshëm gjuhën frënge. Si ushtarak i shkëlqyeshëm inkuadrohet në grupet antifashiste dhe shumë shpejt emërohet komandant i Forcave çlirimtare për Departamentin e Marsejës, kurse për zotësinë dhe guximin që kishte e shpallin ,,Shqiptari trim”(Vaillant Albanias).Ai me njësi të vogla operative nëpër rrugët e Marsejës i thyente njësite shumë më të mëdha fashiste. Në sajë të aftësisë së tij dorëzohen 37 mijë fashistë, të cilët po luftonin që ta rrënonin tërë Marsejën. Arriti që t’i bindë të dorëzohen në sajë të njohjes së të gjitha konventave ndërkombëtare në mënyrë profesionale e në hollësi dhe te sigurisë që ua kishin garantuar njësitë franceze. Veli Dedi e dinte edhe anglishten e gjermanishten, kurse për Hasan Prishtinën thoshte: ,,Në jetë tri herë kam qëndruar gatitu para shpirtit dhe mendjes së tij të ndritur: herën e parë kur kam dëgjuar për vrasjen e Hasan Prishtinës, herën e dytë kur i kam lexuar kujtimet e tij për Kryengritjen Shqiptare në Kosovë më 1912 dhe herën e tretë, më 1977, kur eshtrat e Hasanit u sollën në Shqipëri”. Po ashtu e ka lënë të shkruar thënien "Kam frikë se po vdiqa pa e çliruar Kosovën, s’do të më tret dheu”. Në Shqipëri është shpallur Hero i Popullit Gjeneralmajor Veli Dedi, vdiq më 3 shkurt 1995 në Tiranë. Varrimi i gjeneralmajor Veli Dedit, si luftëtar veteran i Spanjës dhe si komandant në operacionet e çlirimit të Departamentit të Marsejit, si ushtarak besnik i kombit shqiptar, si deputet shumëvjeçar i Rrethit të Bajram Currit, u bë me nderime shtetërore. Në ceremoninë e varrimit u lexuan telegramet e Presidentit, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të veteranëve të Shqipërisë. Në ceremoninë e varrimit përfaqësuesi i Ambasadës së Francës në Tiranë, si atashe ushtarak, ndër të tjera theksoi:"Më vjen keq që një shqiptar që ka luftuar për çlirimin e popullit tim, unë e takoj të vdekur”./rajonipress/
 

Rina Balaj
S