Mavraj: Huliganin serb e rrëzova me një goditje

0
Mërgim Mavraj ka rrëfyer për përleshjen me huliganin serbë në ndeshjen Serbi-Shqipëri, e cila u ndërprere para kohe. Kurse, mbrojtësi kosovar është ende i befasuar me masat disiplinore që UEFA ka marrë për ndeshjen e 14 tetorit

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, është ende i befasuar me masat disiplinore që UEFA ka marrë për ndeshjen e 14 tetorit në Serbi. Në një intervistë për portalin gjerman “spox.com”, lojtari i Kolnit rrëfen me detaje dhunën në Beograd, madje edhe zënkën me tifozin serb, i cili u fut në fushë për ta goditur. “Grushtin e tij arrita ta bllokoja, duke ia ngritur dorën para fytyrës”, ka thënë ndër të tjera 28-vjeçari.

UEFA dënoi Shqipërinë me humbje në tavolinë. Cili ishte reagimi juaj i parë kur mësuat lajmin?

Kur mësova për vendimin, thjesht kam thënë: e pabesueshme! Nuk po mund ta besoja në atë moment. Askush me një njohuri bazë në drejtësi dhe me njohuri të rrethanave nuk ka mundur të vërë në dyshim atë që ka ndodhur në Beograd. Si person i jashtëm dëgjon shumë për vendimet e funksionarëve. Mirëpo, kur goditesh vetë, atëherë zhgënjehesh fort. Këto dënime më inatosin tej mase. Ajo vepër me flamur nuk ishte e jona. Nuk është sqaruar ende se kush e telekomandoi atë fluturake.

Kombëtarja juaj akuzohet se ka refuzuar të futet në fushë…

Unë nuk e kuptoj atë për çfarë na fajëson UEFA. Nuk e di si është e mundur të na kërkohej të ktheheshim në fushë kur Taulant Xhaka kishte hundën të lënduar, Lorik Cana ishte qëlluar po ashtu në fytyrë, ndërsa lëndime kishin edhe Emir Lenjani, Debatik Curri e Bekim Balaj. Qysh para fillimit të ndeshjes kemi mundur të dinim se çfarë do të ndodhte. Atmosfera e tifozëve serbë ishte shumë negative dhe e mbushur me urrejtje. Ne dëgjonim vetëm “Vriti e priti shqiptarët!”. Kur u përshkallëzua situata, na u desh të shkonim në vend të sigurt. Kur Kevin- Prince Boateng lëshoi një ndeshje për racizëm, UEFA nuk e dënoi atë. Plotësisht e drejtë, racizmi nuk tolerohet. Por, kur në Beograd tifozët thërrasin “Vrite shqiptarin!”, atëherë qenka diçka tjetër.

Fotoja juaj me një tifoz serb ka bërë xhiron e botës, çfarë bëtë në momentin kur ai erdhi t’u sulmonte?

Shikoni, së pari feja ime nuk më lejon që të ushtroj dhunë. Unë përgatita veten mendërisht para ndeshjes se si duhet të sillesha. Sa i përket tifozit, në momentin që ai erdhi drejt meje, goditjen e tij me këmbë arrita ta evitoja, duke e ngritur edhe unë këmbën lart. Ndërsa grushtin e tij arrita ta bllokoja, duke ngritur dorën para fytyrës. Tifozi ishte aq i hutuar, saqë e rrëzova më pas me vetëm një të shtyrë. Pak çaste më vonë lojtarët serbë u futën dhe e larguan atë.

A ju ndihmuan lojtarët serbë gjatë dhunës në fushë?

Lojtarët serbë që ishin në fushë na ndihmuan dhe u sollën shumë mirë me ne. Ata na qëndruan në krah për të na mbrojtur nga tifozët dhe forcat e rendit që ishin shumë agresivë. Por, lojtarët e stolit serbë ishin ndryshe. Ata ishin ndikuar nga atmosfera dhe shkaktonin telashe.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se viti 2014 ishte më i miri për Ballkanin dhe historinë e tij, pra paqësor dhe pa konflikte kufitare. Pas incidentit në Beograd, a ekziston rreziku i rikthimit të urrejtjes?

Nuk është se Serbia dhe Shqipëria janë aq armiqësor si kurrë më parë. Vetëm ekonomikisht ka më shumë lidhje dhe në projektet e përbashkëta do të zbatohen. Financiarisht ne jemi të ndërvarura, prandaj marrëdhëniet e ndërsjella në vitet e fundit ka qenë gjithmonë konstruktive. Më shumë të trishtuar jemi për vendimin e UEFA-s, ndërkohë që mendoj se ka radikalizëm në të dy vendet.

Në një grup të ekuilibruar, sa e fortë është Shqipëria?

Ne jemi më të fortë se kurrë. Jemi shumë të disiplinuar në mbrojtje dhe t’i zbatojmë në mënyrë perfekte urdhrat taktike. Askush nuk dëshiron të luajë kundër nesh. Mendoj se Bosnja është një shembull frymëzimi për ne. I kemi mundësitë për kualifikim.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com