Materniteti në Preshevë ende jo funksional, mungon stafi profesional

0

Materniteti në Preshevë, për të cilin dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, kanë dhënë nga 50 mijë euro në janar të këtij viti në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Prizren, ende nuk ka filluar punën, ndonëse kanë përfunduar të gjitha punët dhe janë siguruar të gjitha pajisjet e nevojshme.

spitalRifunksionalizimi ka mbetur peng i mungesës së stafit profesional, doktorëve gjinekologë dhe stafit të mesëm apo mamive.

Zyrtarët e Komunës së Preshevës, por edhe drejtues të Shtëpisë së Shëndetit, nuk e dinë se kur mund të rifilloj punën materniteti, që pritet të shfrytëzohet nga qytetarët e dy komunave, Preshevë dhe Bujanoc.

Qeveria e Shqipërisë ka bërë transferimin e parave për maternitetin në Preshevë, në muajin prill të këtij viti, ndërsa, Qeveria e Kosovës në muajin maj, meqë ishte dashur që transferimin e mjeteve financiare ta bënte përmes Shqipërisë ngase Banka Popullore e Serbisë nuk pranonte që ato të bëhen nga Republika e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë për KosovaPress, se materniteti ende nuk është hapur, meqë ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë serbe, akoma nuk është i gatshëm që të lejoj shtimin e më së shumti 20 vendeve të punës.

“Pengesë është Qeveria e re dalë nga zgjedhjet e fundit në Serbi. Për të funksionuar materniteti, përveç investimeve që ishin në pjesën arkitektonike, pajisje teknologjike, pajisjen me inventarë dhe material tjetër përcjellës, MSH-ja duhet të siguroj edhe kuadrot e profilit të gjinekologjisë dhe kuadrot e kuadrit të mesëm”, theksoi Mustafa.

Për rifillimin e maternitetit duhet të jenë 7 mjek të gjinekologjisë, 12 motra medicionale, të mamisë, dhe një punëtor ndihmës që do të përkujdeset për pastërtinë.

Sipas Mustafës, për këto 20 vende të punës, prej korrikut akoma nuk është arritur të bëhet një takim i pushtetit vendor të Preshevës me Ministrinë e Shëndetësisë së Beogradit. /kp/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com