Lutfi Haziri: Kufiri me Serbinë në Ristovci, me Maqedoninë në Çukarka
17:55 | 10 Janar 2019
Haziri ka shkruar për idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për temën e nxehtë në këtë kontekst, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë ajo e çëshjes së të ashtuquajturit ‘korrigjim i kufijve’, siç po e paraqet presidenti i Republikës në mënyrë permanente.

Dhe, jo rrallëherë, në kuadër të këtij debati, unë kam qenë i sulmuar padrejtësisht nga disa ‘fronte’ për shkak se as koncepti e as kronologjia mbi këtë çështje nuk e vërtetojnë një gjë të tillë.

Zgjidhja, kufiri me Serbinë - Ristovci, me Maqedoninë - Çukarka

Qysh në tetorin e vitit 2011 unë e kam lansuar dhe proklamuar këtë kauzë, e cila është mbipolitike. Pra, nga bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën nuk cenohet sovraniteti, por mund të përkthehet si sforcim dhe zgjerim.

Realiteti ynë është i hidhur edhe sot e kësaj dite pasi që ne si Kosovë e kemi barrën historike të zgjidhjes së çështjes së Kosovës Lindore.

Zgjidhja më e mirë do të ishte që kufiri i Kosovës me Serbinë të jetë në Ristovc, ndërkaq me Maqedoninë në Çukarkë.

Çfarëdo marrëveshje me Serbinë që nuk e rikthen këtë pjesë të natyrshme të Kosovës brenda kufijve të saj, nuk është zgjidhje as e qëndrueshme, as e përhershme. Pra, nuk mund të quhet finale, por marrëveshje gjysmëfinale.

Në këtë kohë kur edhe presidenti Trump dhe të gjithë aleatët kryesor ndërkombëtar po kërkojnë nga lidershipi ynë që çështjen e Kosovës ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë me Serbinë, ne duhet të jemi shumë më vigjilentë e syhapur, shumë më vizionar e kombëtar sesa ‘patriotë’ të çastit.

Nuk ka asnjë argument të vetëm politik e as socio-ekonomik që do të vërtetonte se zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës me Serbinë është e qëndrueshme pa rikthimin e Kosovës Lindore në Republikën e Kosovës.

Kosova dhe sovraniteti i saj asnjëherë nuk duhet vënë në pikëpyetje. Por, për mua ka qenë dhe mbetet amanet që të kujdesemi për Kosovën Lindore.

 

Atalanta Kërçyku