Londër, 17-vjeçari shqiptar vritet me thikë në rrethana misterioze

0

Londër, vritet me thikë në rrethana misterioze 17-vjeçari shqiptar

Në rrethana të pasqaruara nga policia, një 17-vjeçar shqiptar është vrarë me thikë, shumë pranë shtëpisë së tij në lagjen e “Islington”-it, jo shumë larg stadiumit të Arsenalit, Londër.

Mjekët e ndihmës së shpejtë të ardhur me helikopter në vendngjarje u përpoqën ta mbanin gjallë viktimën, por gjysmë ore pas ngjarjes, viktima i quajtur Vaso Kako, ndërroi jetë.

Duke folur për shtypin britanik, vëllai i viktimës citohet të ketë thënë se, “ai ishte një djalë i shkëlqyer dhe i dashur, gjithmonë i gëzuar, i qeshur dhe i shoqërueshëm. Ai ishte shumë i mirë me shokët dhe familjarët”, ka deklaruar i vëllai për gazetën “Daily Mail”.

Vëllai dhe pjesëtarë të familjes i kanë bërë thirrje publikut dhe dëshmitarëve të mundshëm të japin informacion në polici për identifikimin e vrasësit të djalit të tyre.

Sipas shtypit britanik, imazhet e filmimeve nga kamerat me qark të shkurtër, tregojnë sesi viktima pasi është goditur me thikë në kraharor ka tentuar të largohet me biçikletë, por është rrëzuar në tokë, pas disa sekondash.

17-vjeçari shqiptar i vrarë të hënën në mbrëmje është adoleshenti i 18 që gjen vdekjen në Londër brenda këtij viti nga krimi me thikë dhe i katërti në lagjen e tij.

Detektivët nga Scotland Yard-i kanë nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes dhe kanë bërë apel për dëshmitarë të saj.

Krye Superintendenti i Policisë Metropolitane të Londrës, John Sutherland dënoi atë që e cilësoi si “mallkimin” nga krimet me thikë nëpër rrugët e kryeqytetit britanik. /Top Channel/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com