Lodrat nga Kina të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve

0

Pra, në 10 vitet e fundit, Kosova ka importuar rreth 80 milionë euro, apo 20 milionë kilogramë lodra, të cilat kryesisht janë importuar nga Kina.

Përgjatë këtyre viteve, shteti vazhdon të mos ketë asnjë kontroll të cilësisë së tyre. Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë.

Drita Zogaj, mjeke në Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike, thotë se kjo gjendje është alarmante.

“Realisht, në momentin që nuk kontrollohet asnjë lodër e vetme, dhe ato janë vazhdimisht në kontakt me fëmijët është alarmante, duke e ditur përbërjen e lodrave, duke e ditë edhe mënyrën se si ndahen lodrat, të paktën, për arsye se ato kanë mundësi që ta dëmtojnë edhe shëndetin e fëmijëve, në radhë të parë në disa mënyra”, tha Zogaj në televizionin publik.

Zogaj thekson se janë disa lloj lodrash, të cilat nëse nuk prodhohen sipas standardeve, shkaktojnë dëme në dëgjim, zhvillim tek fëmijët dhe sëmundje të tjera.

“Kemi lodra të zhurmshme, shumica e atyre lodrave të zhurmshme me të cilat luajnë fëmijët, kanë mbi 80 decibelë zhurmën që mundet me u dëmtu dëgjimi. Zakonisht këto lodrat e plastikës përbëhen prej polivinir kloridit, është një substancë plastike, por së cilës i shtohen fitalate, në mënyrë që kjo substancë plastike të zbutet, të bëhet pak më elastike, në mënyrë që të krijohen forma të ndryshme të lodrave. Fitalatet, nëse përdoren në sasi më të madhe, janë të dëmshme. Fitalatet sipas hulumtimeve interferojnë në hormone, kështu që efekti kryesor i dëmshëm është diskurpturi hormonal, që nënkupton që mund të ketë pasoja edhe në rritje edhe në zhvillim, mund të ketë pasoja të tjera edhe te sistemi reproduktiv, edhe i vajzave edhe i djemve, por njëkohësisht mund të çojë edhe në kancer”, theksoi Zogaj.

Rreziku është edhe më i madh në atë se çfarë vlere mund të blihen lodrat në vend, të cilat janë të dorës së dytë, e që sipas Zogajt, është edhe më e rrezikshme.

I vetmi kontroll që ju bëhet lodrave e që fëmijët që nga muajt e parë të jetës janë në kontakt me to, bëhet nga Dogana në kufi, edhe atë vetëm tek letrat e konformitetit.

“Nuk ka obligim tjetër Dogana përveç që të shikojë letrat e konformitetit dhe a përputhet ai me deklarimin që është bërë në dokumentin unik doganor, derisa sa i përket testimit të lodrave si në aspektin kimik, si në atë fizik kjo nuk është kompetencë e Doganës”, tha për Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës.

Ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, e pranon se nuk ka kontroll të lodrave. Dyshon edhe vet në cilësinë e tyre. Ai thekson se këto ditë kanë filluar një aksion për të kontrolluar cilësinë e tyre, por mostrat do të merren vetëm në Doganë, e jo në pikat shitëse, të cilat mund të marrin kohë edhe 2 muaj.

“Kjo është një iniciativë që nuk u marrë deri më tani. Na e kemi përcaktuar, parimisht 20 mostra, qëllimi është me ndal në Doganë për shkak se është më lehtë të kontrollosh”, ka thënë Hasani.

Ministri thotë se kanë vendosur që t’i marrin 20 mostra me lloje të ndryshme të lodrave, për t’i dërguar jashtë shtetit për analiza.

“Ne kemi dyshime shumë, nuk është rastësisht i marrë ky aksion, fatkeqësisht që nuk kemi laboratorë në këto vendet fqinje, ndoshta mund të na merr kohë për analiza, por ne kemi marrë të gjitha masat që me rëndësi ta heqim dyshimin, edhe unë po thosha që do të dëshiroja që mos të ndodh kjo që po mendojmë që kemi informatat por jam shumë i sigurt që kanë me na rezultu negativisht këto motra”, theksoi ai.

Mungesa e laboratorit për analiza në vend nuk qëndron, sipas mjekes Drita Zogaj. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë ajo, mund t’i bëjë këto analiza për shumë metale që gjenden në lodra, por thotë se nuk ka kompetencë.

“Jo vetëm të lodrave, por të të gjitha pajisjeve plastike. Fitalaet janë përbërës edhe të pajisjeve medicionale, edhe në ambalazhe të ushqimeve të ndryshme, dmth të gjitha këto kanë mundësi që të punohen në Institut, por mungojnë delegimet e kompetencave”, pohoi Zogaj.

Shqetësimin për cilësinë e lodrave e rrit edhe më shumë fakti që para disa vjetësh, Dogana e Kosovës i ka dërguar disa mostra për analizë në Itali e të cilat kanë dalë jashtë standardeve.

“Ne para disa vitesh kemi pas një bashkëpunim me Doganën italiane, ku kemi dërguar disa mostra dhe i kemi testuar edhe në laboratorët e tyre se janë mostra goxha specifike që duhet të bëhen çështja e lodrave për fëmijë. Në atë kohë, një pjesë e tyre kanë rezultuar negative, do të thotë që nuk i kanë plotësuar kushtet me hy në tregun e Kosovës”, theksoi Bahri Berisha, drejtor i Doganës.

Doktoresha Zogaj thotë se çdo dyshim se fëmijët janë duke luajtur me lodra kancerogjene mund të qëndrojë. Ajo bën apel që të blihen lodra të cilat kanë etiketa që nëse nuk janë false, vërtetojnë cilësinë e tyre.

“Realisht, ekziston një standard në bazë të të cilit duhet të punohen lodrat, dhe ai është standardi ndërkombëtar SSE N7, dhe ka një shenjë CE. Le të jetë një informatë që të blihen lodrat me këtë shenjë nëse e kanë, që garanton se lodrat kanë kaluar nëpër një rregullativë të cilën duhet me e përmbajt”, apeloi ajo.

Mjekja e Institutit të Shëndetit Publik thekson se nëse fokusi duhet të jetë në ardhmërinë e vendit, atëherë është momenti që prioritet të jetë kontrolli i cilësisë së lodrave me të cilat luajnë, para se të jetë vonë, për t’u mos u marrë me pasoja serioze që mund të kenë nga to.

 

 

 

Powered by WPeMatico

Shpërndaje në rrjetet sociale.
comments powered by Disqus
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com