Lajm i rëndësishëm për nxënësit
15:31 | 20 Maj 2018

Kosova ka filluar së zbatuari kurrikulën e re qe tre vjet, por librat kanë mbetur të njëjtë, që nga paslufta.

Mësimdhënësja Naime Bunjaku ka 24 vjet që punon në arsim dhe ajo i ka ndjekur të gjitha trajnimet për të zhvilluar procesin edukativ në bazë të planit të ri. Për këtë, ajo e sheh të rëndësishëm edhe ndërrimin e teksteve aktuale, raporton KTV.

Ministria e Arsimit bën me dije se javën e kaluar ka shpallur konkurs për autorë dhe shtëpi botuese për hartim të librave për klasën përgatitore, klasën e 1, 6 dhe 10.

Sipas MASHT-it, në muajin korrik pritet të shpallet konkursi për klasat 2, 7 e 11, dhe më vonë edhe për klasat e tjera.

Kjo ministri nuk e përjashton mundësinë që fitues do të jenë autorët që kishin përdorur terma fyes në libra shkollorë.

“Autorët mund të jenë të njëjtë apo të rinj, varësisht nga aplikimi i tyre me dorëshkrime që konkurrojnë dhe pas vlerësimit që bëhet nga Këshilli i programeve dhe teksteve shkollore, ato i propozohen ministrit.

Nga MASHT-i nuk është bërë e ditur kostoja e ndërrimit të librave, por është thënë se procesi do të përfundojë në vitin 2021.

Por, këtë e sheh me skepticizëm, anëtarja e Komisionit për Arsim, Arbërie Nagavci.

Sipas saj, është kohë e shkurtër që në periudhë prej rreth 4 vjetësh të përfundojë i gjithë ky proces.

Në librin e edukatës qytetare të klasës së 9, thuhet se “pavarësia ekonomike e gruas shton vetëbesimin dhe bën që lidhja bashkëshortore të konsiderohet jo aq e domosdoshme siç ka qenë më parë”.

Fyerje të tilla ka edhe në tekste tjera, të cilat deri më tash asnjëherë nuk janë përmirësuar.

Edlira Rukaj