Kryetari i KNSH Ragmi Mustafa takoi Avokatin e Popullit Zoran Pashalliq.
20:00 | 18 Shkurt 2019
Në këtë takim Mustafa ngriti çështjen e pasivizimit të vendbanime të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, mungesën e përfaqësimit gjithëpërfshirës të shqiptarëve në institucionet publike, mungesën e zbatimit ligjor të përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip në shumë institucione nën kompetenca rajonale dhe republikane.

Më poshtë ju paraqesim postimin e plotë të Ragmi Mustafës të publikuar në rrjetin e tij social Facebook, të publikuar pas këtij takimi.

“Sot, në takimin me Avokatin e Popullit, z.Zoran Pashalliq, ngrita çështjen e pasivizimit të vendbanimit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Me këtë rast, paraqita fakte se si pasivizimi po është selektiv, e se ai po zbatohet sidomos mbi kritere etnike, pothuajse vetëm ndaj shqiptarëve, për t’i spastruar ata nga regjistrat civil.

E njoftova po ashtu Avokatin e Popullit lidhur me mungesën e përfaqësimit gjithëpërfshirës të shqiptarëve në institucionet publike, mungesën e zbatimit ligjor të përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip në shumë institucione nën kompetenca rajonale dhe republikane etj.   

Mora pjesë po ashtu në konstituimin e Bashkërendimit të Këshillave Kombëtare të minoriteteve, ku paraqita sfidat dhe problemet me të cilat po përballën shqiptarët e Luginës së Preshevës, në fushat përkatëse” ka shkruar Mustafa

Kejvina Kthella