Kryeministri Isa Mustafa priti deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës
10:00 | 07 Prill 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi. IsaMustafa-Deputetet1 Gjatë takimit, kryeministri Mustafa i njoftoi deputetët shqiptarë me progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar prioritetet e Programit Qeverisës, që kanë për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, agjendën evropiane, reformat thelbësore në arsim dhe shëndetësinë bashkëkohore. Kryeministri Isa Mustafa po ashtu shprehu rëndësinë që ka për Kosovën avancimi i vazhdueshëm i proceseve dhe i gjendjes së përgjithshme të qytetarëve shqiptarë në tre komunat, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të kontribuuar në këtë drejtim. Deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, pasi vlerësuan progresin që po arrihet në Kosovë, e njoftuan kryeministrin Mustafa për zhvillimet e fundit në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Ata ndanë shqetësimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me gjendjen aktuale të shqiptarëve, duke kërkuar përkrahjen e mëtejshme të Kosovës për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të kësaj pjese.
Françeska Jaçe