Krahu i luftës në Luginë e mbështet Thaçin për korrigjimin e kufijve
09:11 | 12 Gusht 2018

Derisa në Kosovë analistët dhe opozita e kundërshtojnë presidentin Thaçi për korrigjim të kufijve, në Luginën e Preshevës të gjithë po e mbështesin atë.

Përveç spektrit politik, në mbështetje presidentit Thaçi i kanë dalë edhe ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilët e konsiderojnë të vonuar zbatimin e kërkesës së shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën.

Ideja e presidentit Hashim Thaçi që përmes korrigjimit të kufirit me Serbinë, Lugina e Preshevës të përfshihet në Republikën e Kosovës, po gjen mbështetje ndër shqiptarët e Luginës e sidomos ndër veteranët e luftërave çlirimtare.

Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Shefket Musliu, idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë e ka vlerësuar si diçka të domosdoshme dhe që duhet të përkrahet, raporton RTK.

Nazmi Hajredini, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Preshevë, ka thënë se shpresa për përfshirjen e kësaj zone në Kosovë i ka mbajtur gjallë ndër vite të gjithë ata që kanë kontribuar për çështjet kombëtare.

Korrigjimi i kufirit me Serbinë si element që do të diskutohet në bisedimet në Bruksel mes dy presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, ka mbështetjen edhe të krahut politik të UÇPMB-së.

Shaqir Shaqiri, ish zëdhënës i Këshillit Politik të UÇPMB-së ka thënë se ideja e presidentit do të duhej të gjejë përkrahje nga të gjitha nivelet e veçanërisht nga klasa politike që vepron në Luginë.

Arritja e një stabiliteti të qëndrueshëm dhe ngritja e nivelit të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Buajnoc, do të mund të arrihej me përfshirjen e kësaj zone në kuadër të Republikës së Kosovës, vlerësojnë ish udhëheqësit e luftëtarëve të UÇPMB-së.

Alesia Bami