Kosova sot kremton 7 vjetorin e Pavarësisë

0

Sot shteti i Kosovës feston përvjetorin e shtatë të Pavarësisë.

Më 17 shkurt të vitit 2008 në një seancë solemne Kosova u shpall shtet i pavarur që deri në atë kohë administrohej nga UNMIK-u.

PavarsiaShpalljes së Pavarësisë i ka paraprirë një proces i gjatë që nga viti 1989 por edhe më herët ku popullata shqiptare nuk iu ka bindur asnjëherë regjimit komunist dhe atyre serbë të ish-Jugosllavisë. Pas suprimimit të autonomisë në vitin 1989 nga ish diktatori Slobodan Milosheviq.
Popullata shqiptare u përjashtua nga puna, nxënësit nga shkollat kështu që u krijuan institucione paralele. Në atë kohë dolën edhe partitë e para politike si LDK-ja e udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Ai ushtronte politikë paqësore dhe mundohej që me këto mjete të arrihej deri te pavarësia.
Pas represionit të vazhdueshëm të policisë dhe ushtrisë serbe ndaj popullit shqiptar filluan të dalin grupet e para të armatosura, Më 28 nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në vitin 1998 filluan sulmet e policisë mbi fshatrat ku qëndronte UÇK-ja për tu zgjeruar edhe në gjithë territorin e Kosovës.

Në mars të vitit 1999 NATO filloi sulmet ajrore mbi Serbinë pas marrëveshjes së Rambujesë e nënshkruar vetëm nga pala kosovare. Gjatë kësaj lufte u vranë mbi 12 mijë shqiptarë, shumë u plagosën, më shumë se një milion njerëz u deportuan ndërsa u dogjën shumë shtëpi dhe shkolla

Në qershor të vitit 1999 Serbia pranoi kapitullimin dhe nga ky moment filloi një kthesë e re për shqiptarët.
Kosova administrohej nga UNMIK-u, UÇK u çarmatos e cila u shndërrua në TMK e cila e kishte rolin si organizatë civile me kompetenca të vogla.
Për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës OKB angazhoi ish – presidentin finlandez Martti Ahtisaari i cili propozoi një plan gjithëpërfshirës për statusin Kosovës me një pavarësi të mbikëqyrur ushtarake ndërkombëtare, transmeton kp . I gjithë procesi u dakordua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit.

Kështu, Bashkimi Evropian miraton dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane. Pas këtij hapi, Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Po në këtë vit Kosova u bë me Kushtetutë ndërsa një vit më vonë TMK u transformua në FSK por me kompetenca si të njëjta me TMK-në. Pritet që Kuvendi të miratojë ligjin ku FSK të shndërrohet në ushtri.

Shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë Kosova po përballet me papunësinë e madhe, me protesta të arsimtarëve, minatorëve dhe mbi të gjitha me ikjen e qytetarëve nga vendi.

Sipas statistikave mbi 50 mijë qytetarë vetëm nga nëntori i vitit të kaluar deri më tani e kanë braktisur Kosovën. Në mesin e të ikurve janë edhe mbi 5 mijë nxënës, ndërkohë që po vazhdon ende ikja e njerëzve që nëpërmes territorit serb po ia mësyjnë shteteve të Evropës.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com