KOSOVA pranohet në FIFA, i lejohet pjesëmarrja në kualifikimet për botërorin e Rusisë (Video/Foto)

0

fifa

Kosova është anëtarja e 210-të e FIFA. Kongresi i kësaj organizate ka votuar për pranimin e Kosovës.

Ishin 141 shtete që votuan për pranimin e Kosovës, dhe vetëm 23 ishin kundër.

Kosovës i lejohet pjesëmarrja në kualifikimet për botërorin e Rusisë që mbahet në vitin 2018, dhe tani UEFA do të vendos se në cilin grup do të vendoset.

Pranimi në FIFA për Kosovën vjen 10 ditë pas pranimit në UEFA, në Kongresin e Budapestit.

Image

 

 

(20:43) Pala serbe: Ashtu siç është pritur, përfaqësuesi i Serbisë i ka kërkuar Kongresit të FIFA-s të mos e pranojë Kosovën, duke dhënë arsyet enjëjta sikurse bënë në UEFA.

(20:36) Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i është drejtuar Kongresit të FIFA-s, duke rrëfyer historikun e futbollit të Kosovës, dhe natyrisht duke kërkuar pranimin e Kosovës në FIFA.

“Të nderuar, së pari dua të falënderoj këshillin e FIFA-s, që i ka rekomanduar kongresit pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ajo që të marrë pjesë në kualifikime në Kampionatin Botëror”, ka deklaruar Vokrri.

(20:29) Në Kongresin e FIFA-s po diskutuhet çështja e pranimit të Kosovës.

Image

 

(20:15) Rinisë punimet Kongresi i FIFA-s, diskutohet pika e 12-të. Çështja e Kosovës është në pikën e 15-të.

(19:45) Kongresi i 66’të i FIFA’s shtyhet për 30 minuta

Në Kongresin e FIFA’s deri më tani janë përfunduar 11 pika, pas kthimit do të diskutohet pika e 12-të.

(19:25)  Gianni Infantino ka deklaruar se FIFA do t’i ndihmojë vendet e pazhvilluara në infrastrukturë dhe në mesin e këtyre vendeve është edhe Kosova.

“Ne jemi për futbollin dhe me futbollin. Do t’i ndihmojmë të gjitha vendeve që janë të pazhvilluara”.

“Ato vende që kanë infrastrukturë të dobët do t’i ndihmojmë për ta rregulluar atë pasi jemi për futbollin”, deklaroi Infantino.

(19:17) Babai i Valon Behramit, Ragip Behrami, ka deklaruar se nëse Kosova pranohet në FIFA, mund t’i ndërrohet grupi.

“Kam informacione që për grupin e Kosovës do të ketë short, pra s’do të plasohet në Grupin I, nëse pranohet edhe Gjibraltari, gjë e cila është e sigurt. Mbetet të shihet”, konfirmoi babai i Valon Behramit, Ragip Behrami, në emisionin “Arena” në Tribuna Channel.

(19:03) Flamuri i Kosovës në mesin e flamujve të shteteve anëtare të FIFA-s, gati për t’u shpalosur pas pranimit (Foto)

Në Kongresin e FIFA-s, në mesin e flamujve të shteteve anëtare, është vendosur edhe flamuri i Kosovës dhe Gjibraltarit, mbi të cilët janë vendosur pëlhura të bardha, dhe do të zbulohen pasi që ky Kongres të votojë për pranimin e tyre.

Flamuri i Kosovës, është i vendosur në mes të atij të Koresë dhe Kuvajtit, dhe vërehet lehtë se flamujt aty afër, janë të shteteve që emrat e të cilëve fillojnë me shkronjën “K”.

Image

 

I njëjtë është rasti edhe për flamurin e Gjibraltarit, që është vendosur afër atij të Greqisë dhe Ganës.

Madje prapa pëlhurës së bardhë, vërehet mirë flamuri i Gjibraltarit.

Image

 

(18:38) Kongresi i FIFA-s ka mbërritur në pikën e 11-të të rendit të ditës, ndërsa votimi i Kosovës është në pikën e 15-të.

(18:10) Nëse Kosova pranohet në FIFA, Fadil Vokrri do të vendos flamurin e Kosovës në mesin e flamujve të shteteve tjera anëtare.

(18:02) Për dallim nga Kongresi i UEFA-s, votimi në Kongresin e FIFA-s për çështjen e pranimit të Kosovës, do të jetë i hapur.

(18:00) “Jam i bindur se do të jemi anëtari 210 i FIFA-s”, ka thënë Eroll Salihu për RTK-në.

(17:46) Pas kalimit të agjendës së paraparë për Kongresin e 66-të të FIFA-s, për pranimin e Kosovës pritet të votohet rreth orës 19:30.

(17:22) Kongresi i FIFA-s me 191 vota ka aprovuar agjendën e paraparë për këtë Kongres, që i bie që sot FIFA voton për Kosovën.

Çështja e Kosovës është në pikën e 15-të të rendit të ditës.

Image

 

Image

 

(17:00) 207 shtete janë prezentë në Kongresin e 66-të të FIFA-s, ndërsa të drejt vote kanë vetëm 205 shtete.

Image

 

(16:42) Presidenti i ri i FIFA-s, Gianni Infantino, ka marrë fjalën në Kongresin e 66-të, për të shpallur të hapur Kongresin.

Gianni Infantino ka falënderuar të pranishmit, para se të filloi të flas për punën që e pret institucionin më të madh të futbollit, pas përfshirjes në skandalet nga qeverisja e kaluar.

Image

 

(16:37) Ka nisur punimet Kongresi i 66-të i FIFA-s.

Image

 

(16:33)  Kongresi i 66-të i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) mbahet sot në Meksikë me fillim në ora 09:00 (me kohën meksikane), kurse në Kosovë fillon në ora 16:00.

Në Kongresin e 66-të të FIFA që pas pak pritet të fillojë në Meksiko Siti, njëra nga pikat e ditës është edhe pranimi i Kosovës.

Kosova është në pikën e 15 të rendit të ditës në këtë Kongres. Me pranimin në UEFA, Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për t’u pranuar edhe në FIFA.

Kjo e fundit në gjirin e saj ka 208 anëtarë, e cila do të thotë se Kosovës i duhen 50 për qind të votave, gjegjësisht 105 vota.

Në rast të pranimit në FIFA, Kosovës do t’i lejohet pjesëmarrja në kualifikime për botërorin e vitit 2018 që mbahet në Rusi.

(16:18)  Pak minuta kanë mbetur deri të fillimi i Kongresit të 66-të të FIFA në Meksiko Siti, aty ku do të votohet edhe për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Zyrtarë të federatave të ndryshme botërore  kanë filluar të hyjnë në sallën ku do të mbahet Kongresi.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com