Kontrabandë me vezë, arrestohen pasi u kapën me 72 mijë sosh
14:12 | 18 Mars 2017

Tre persona janë arrestuar në Stanqiq të Gjilanit si të dyshuar për kontrabandim të vezëve.

Policia në raportin e përditshëm njofton se ka arrestuar tre persona në fshatin Stanqiq të Gjilanit nën dyshimet e kontrabandimit me vezë. Të arrestuarit 72000 copë vezë po i transportonin përmes rrugëve ilegale. “Janë arrestuar tre të dyshuar pasi që të njëjtit janë takuar duke transportuar me automjetin e tyre  200 pako me vezë pule (72000 copë) dyshohet se për  destinacionin kishin republikën e Maqedonisë përmes rrugëve ilegale”, sqaron raporti policor. Sipas policisë të dyshuarve u është caktuar ndalimi policor, ndërsa automjeti dhe vezët e gjetura në të janë konfiskuar. Në maj të vitit të kaluar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës njoftoi se do të lejojë në treg vetëm vezët që kanë të shtypur kodin e prodhuesit të tyre.
Aurela Hoxha