Komisioni i parlamentit të Kosovës për arsim i shqetësuar me gjendjen në Medvegjë, zotohet se do ta ndihmojë këtë komunë

0

Medvegjë 10 mars – Komisioni i parlamentit të Kosovës për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe sport, i kryesuar nga deputeti Nait Hasani i shoqëruar edhe nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, sot ka qëndruar për vizitë pune në Medvegjë me ç’rast është takuar me zëvendëskryetarin e komunës Florim Sahiti dhe bashkëpunëtorët e tij. Kjo është vizita e parë zyrtare e realizuar në Medvegjë nga një Komision i tillë i institucioneve të Republikës së Kosovës.

IMG_20150310_150204

Takimin ka hapur kryetari i Këshillit Kombëtar, Jonuz Musliu. Duke folur për interesimin e delegacionit nga Kosova që ka shprehur për të vizituar edhe Medvegjën në kuadër të vizitës së tij zhvilluar Luginës, Musliu tha se gjendja e shqiptarëve në Medvegjë është shumë më e vështirë në krahasim me komunat Preshevë dhe Bujanoc. “Shqiptarët kanë moral të mbesin këtu. Gjysma e Kosovës Lindore është Medvegja me Banjën e Sjarinës”, tha Musliu në fjalimin e tij hyrës.

Duke shprehur kënaqësi për vizitën e Komisionit parlamentar të Kosovës, delegacionin përshëndeti dhe falënderoi zëvendëskryetari i komunës, Florim Sahiti. “Jam shumë i lumtur që jeni në Medvegjë. Problemet e Medvegjës janë shumë më të mëdha. Rreth 85% të populltës pas luftës janë shpërngulur, ndërsa për momentin kemi vetëm rreth 600 banorë shqiptarë”, tha Sahiti. Sa i përket gjendjes në arsim, Sahiti njoftoi delegacionin se shkollat shqipe në Medvegjë po përballen gjithnjë e më tepër me numrin e vogël të nxënësve. “Në tërë territorin e komunës kemi 150 nxënës shqiptarë, nga institucionet parashkollore e deri në universitet”, tha ai. Sipas tij, në arsim mbetet ende e hapur çështja e mospranimit të diplomave të universiteteve të Kosovës, mungesa e teksteve mësimor etj. Sahiti, vizitën e delegacionit të parlamentit të Republikës ë Kosovës e quajti përkrahje morale, shumë të rëndësishme që i bën shqiptarët të ndihen më të fortë gjë që do të stimulojë edhe më shumë intensifikimin e angazhimeve të tyre në punë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Medvegjë.

Edhe zëvendëskryetari i Kuvendit Komunal, Fehmi Beha përshëndeti dhe falënderoi delegacionin për vizitën zyrtare dhe interesimin e shprehur për çështjet e shqiptarëve në Medvegjë. Ai po ashtu njoftoi delegacioin se shkollat shqipe po përballen me numër shumë të vogël të nxënësve. “Kemi arritur t’i mbajmë paralelet në jetë por u kanoset rreziku i mbylljes për shkak të mungesës së nxënësve. Medvegja para luftës ka pasur mbi 1.000 nxënës ndërsa sot ka gjithsej 150”, tha Beha. Duke folur për rëndësinë e formimit të kuadrove të rinj të nevojshëm për punë në shkollat shqipe ai ftoi që studentët potencialë nga Medvegja të pranohen në universitetet e Kosovës, ndërsa për studentët aktualë shqiptarë në fakultetet e Medvegjës të cilët nuk financohen nga buxheti t’iu sigurohet bursë për pagesën e vitit shkollor që kapë vlerën rreth 1.000 euro, por që në mungesë të financave ka studentë të cilët nuk mund të vazhdojnë studimet. Çështja tjetër që ngriti Beha është mospranimi i diplomave të universiteteve të Kosovës por edhe diplomave të shkollave të mesme gjë që e vështirëson gjendjen me kuadro në Medvegjë.

Në emër të komisionit, përfaqësuesit shqiptarë të komunës së Medvegjës përshëndeti dhe falënderoi për mikpritje kryetari i komisionit Nait Hasani. “Zyrtarisht si shtet i Kosovës kemi vendosur t’i vizitojmë komunat shqiptare në Serbi. Komisioni e ka parë të arsyeshme t’i vizitojë këto komuna duke njohur gjendjen, por edhe që të njoftohet me hallet tuaja. Këto që u ndëgjuan janë shqetësuese për neve. Sot shkolla me 15 nxënës është mjerim i kohës. Ne do të mundohemi të ndihmojmë me libra, me heqjen e kuotave për pranimin e studentëve dhe rreth nostrifikimit të diplomave. Ne do ta ngrisim zërin në Kuvendin e Kosovës për këto çështje”, tha Hasani.

Edhe anëtari i komisionit, Ismail Kurteshi tha se për këto çështje do të ngritet zëri në parlamentin e Kosovës. “Ne do të kthehemi në Kosovë me plotë informacione por edhe obligime. Do të kërkojmë reciprocitet për shqiptarët e Luginës. Me ndihmën e Kosovës por edhe të Tiranës këto çështje do të tentojmë t’i zgjidhim”, tha Kurteshi.

“Po ndihem mirë që gjithçka që po shoh është shqip, janë tokat shqiptare. Unë ju përgëzoj juve më shumë se ata që janë shumicë. Kërkojmë të drejat që vazhdimisht po shkelen nga Serbia, ndërsa Serbia vazhdon paftyrësisht të kërkojë të drejta për serbët në Kosovë. Me bindjen e plotë do ta ngremë zërin në Kuvendin e Kosovës. Asgjë më pak e as më shumë sesa serbët në Kosovë”, tha deputetja, Teuta Haxhiu.

Pas takimit me zëvendëskryetarin e komunës delegacioni vizitoi shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë dhe varrin e heroit kombëtar emrin e së cilit mbanë shkolla, ku vendosi kurora lulesh. Në përgjithësi, gjendja reale në arsim u konstatua si e dhimbshme ndërsa numri i vogël i nxënësve si shqetësim. Delegacioni kosovar edhe një herë u zotua se do ta ngrejë zërin në parlamentin e Kosovës për çështjet e shqiptarëve në Medvegjë. (mepress.info)

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com