KF Tërnoci nga Tërnoci i Bujanocit do të zhvilloj ndeshëje miqësore me KF Drita nga Gjilani

0

KF Terrnoci me KF Driten

Deri tash jemi mësuar të shohim skuadra nga Serbia të zbarkojnë në Kosovë, duke zhvilluar ndeshje miqësore, por besa edhe kampionale apo për Kupë në sporte të ndryshme, me skuadrat e serbëve të Kosovës.

Mirëpo, këtë fundjavë do të ndodhë e kundërta. Skuadra shqiptare, Tërnoci, që vepron në Kosovën Lindore, e cila gjeografikisht është pjesë e Serbisë, e ka ftuar klubin kosovar, Dritën, për ta zhvilluar një ndeshje miqësore për nder të 40-vjetorit të themelimit, shkruan sot Gazeta Zëri.

Ndërkohë, të dielën do të shënohet edhe manifestimi i Ditës së Mërgimtarëve, i cili është tashmë tradicional.

“Ne do t’i kryejmë të gjitha procedurat, pra do të marrim leje nga policia dhe nuk do të ketë asnjë problem. Drita e Gjilanit do të jetë mysafire e jona, për të na nderuar në 40-vjetorin e themelimit të klubit tonë, më 31 korrik. Gjithashtu, do të shënohet edhe Dita e Mërgimtarëve”, ka thënë për “Zërin” drejtori i klubit, Enis Salihi.

Ai ka shpjeguar se të dielën do të zhvillohen edhe aktivitete tjera. Do të ketë edhe disa fjalime kulturo-artistike, do të ketë koktej dhe më pas do të zbulohet një reportazh, i cili e përmbledh historinë e KF Tërnocit, nga viti 1976 e deri tash.

Salihi nuk brengoset se klubit shqiptar do t’i shfaqet ndonjë problem për zhvillimin e kësaj ndeshjeje. Ai tregon se edhe në të kaluarën Tërnoci ka organizuar turne të ndryshëm me klube të huaja, derisa ka pasur edhe klube nga Kosova.

Synojnë të ngrihen më lart

Klubi i futbollit Tërnoci garon në ligën e pestë, e fundit në futbollin serb. Sezonin që shkoi, kjo skuadër synoi të ngrihej në një rang më të lartë garash, por nuk ia doli. Megjithatë, ky synim do të jetë i pranishëm edhe në edicionin e ri.

“Ne dëshironim t’ua bënim dhuratë tifozëve dhe qytetarëve të Tërnocit për 40 vjetorin e themelimit, me ngritje në një rang më të lartë garash, por nuk ia dolëm, edhe pse ishim shumë afër. Sidoqoftë, ne do të mundohemi ta bëjmë këtë në sezonin e ardhshëm”, ka vazhduar Salihi për gazetën Zëri.

Tërnoci, klubi më i organizuar në Luginë

Pa dyshim, KF Tërnoci është klubi më i organizuar në Luginë. Gjithçka funksionon zinxhir në klubin nga Kosova Lindore. “I kemi të gjitha kategoritë, prej para-fatosëve e deri te seniorët. Bëjmë gara në liga të ndryshme dhe marrim pjesë e organizojmë turne”, shpjegon ai.

Ndër të tjera, Tërnoci ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj, të cilët kanë luajtur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, por ka prej tyre që kanë shkuar edhe më larg.

Arbnor Fejzullahu, Semir Remizi, Gjelbrim Taibi, Mensur Limani etj., janë vetëm disa nga lojtarët që kanë dalë nga ky klub, i cili një kohë kishte garuar në ligat e Kosovës, para se të fillonte lufta.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com