Këshilltari i kryeministrit: Taksa ndaj produkteve serbe vetëm paralajmërim, vendimi nuk do të tërhiqet
21:06 | 12 Nentor 2018

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj për ekonomi dhe koordinator i Ballkanit Perëndimor, Gazmend Abrashi ka thënë në RTV Dukagjini, se hyrja e Kosovës në CEFTA ka qenë një gabim.

“Nga këndvështrimi im, hyrja në CEFTA ka qenë nja gabim i Kosovës edhe pse në Kosovë është konsideruar si sukses i jashtëzakonshëm. Hyrja në një treg të tillë kur ne nuk kishim as rrymë e as infrastrukturë ishte gabim strategjik”, thotë Abrashi.

Abrashi ka thënë se kjo taksë është vetëm një paralajmërim për Serbinë nga ana e Kosovës.

“Mosrespektimi i një varg marrëveshjeve nga ana e Serbisë ka ndikuar që Kosova të merr këtë vendim”.

Zyrtari qeveritar i cili vjen nga bota e biznesit, thotë se marrëveshja e CEFTA nuk është negociuar si duhet.

“Nuk kemi ditur t’i mbrojmë prodhimet vendore, dhe tash si rezultat i asaj marrëveshje kemi pakënaqësi dhe si rezultat i asaj marrëveshje na vjen edhe presioni nga BE”, thotë Abrashi.

Kristin Prengaj