Karatisti preshevar Bejar Fazliu, në encikopedinë elitare shqiptare!

0

Akademia e shkencave dhe arteve të Kosovës është duke krijuar një enciklopedi për sportistët elitë ose kulmor.

Në këtë grup të sportistëve që me vite ka dhënë kontribut të madh është edhe sportisti preshevar i arteve marciale, Bejar Fazliu.

BejarFazliu

Kush është Bejar Fazliu?

Bejar Fazliu është i lindur me datë 15.02.1968 në fshatin Raincë të komunës së Preshevës. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa të mesmen në Preshevë dhe Bujanoc. Është i diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit. Në vitin 1990 shpallet laureat i studimeve dhe merr çmimin Student i Dalluar nga Universiteti i Prishtinës. Po në këtë fakultet, ka marrë edhe thirrjen Magjistër i Shkencave të Kulturës Fizike. Momentalisht është duke punuar në temën e Doktoratës në lëmin karatesë.

Me karate ka filluar të merret në formë të lirë që në moshën 14 vjeçare, i frymëzuar nga filmat e arteve marciale. Profesionalisht, karatenë e ka filluar me regjistrimin e fakultetit në Prishtinë, duke u angazhuar në klubin e karatesë “Batllava”.
Si profesionist, në vitin 1992 formon shkollat e karatesë në Kosovën Lindore (ose Lugina e Preshevës), një hap ky kolosal në aftësimin e shumë brezave të rinj, duke ua mundësuar përvetësimin e shkathtësive të karatesë. Një numër i madh i tyre sot janë mjeshtër dhe e mbajnë barrën kryesore në zhvillimin e karatesë tradicionale në trojet shqiptare.
Në vitin 1999, pas rrethanave të reja të krijuara me përfundimin e luftës në Kosovë, Bejari vendoset në Prishtinë. Ndër hapat e parë që ka ndërmarrë asokohe ishte themelimi i Federatës së Karatesë Tradicionale të Kosovës (FKTK), e cila që në vitin 2002 është njohur zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Karatesë Tradicionale, me në krye tani të ndjerin Sensei Hidetaka Nishiyama.
Përpos angazhimeve në FKTK dhe në jetën civile, Sensei Fazliu me përkushtimin më të madh ka aftësuar edhe shumë pjesëtarë të Gardës së Kosovës në TMK, ku u angazhua si instruktor i Shkathtësive Luftarake që nga viti 1999 e deri në vitin 2003.
Prej vitit 2003, Sensei Fazliu e ka ushtruar personelin per mbrojtje te afert te perfaqesuesit special te Kombeve te Bashkuara ne Kosove, per cka ne vitin 2006 nderohet me mirenjohje nga ish adminstratori i saj Soren Jessen Petersen per trajnim te shkelqyeshem.
Në vitin 2006, vendoset në Filadelfia të SHBA-ve. Atje, si një instruktor me famë, shumë shpejt e themelon Qendrën e Karatesë Tradicionale, ku trajnohen një numër i madh i studentëve amerikanë. Sensei Fazliu, gjithashtu punon edhe si instruktor kryesor në shkollën Koreane të Karatesë “Pro Martial Arts”, e cila merret me edukimin dhe formimin e karakterit të shëndoshë të shumë të rinjve amerikanë.
Bejar Fazliu sot mban seminare të karatesë në gjithë botën, dhe është ndër instruktorët më të kërkuar anembanë sferës së arteve marciale. Përvoja e tij shumëvjeçare respektohet jashtëzakonisht shumë nga Instruktorët e Karatesë Tradicionale në botë. Si i tillë, Bejar Fazliu ka edhe vendin e merituar ‘anëtar i Bordit të Federatës Tradicionale të Karatesë së SHBA-ve’.
Në botën e karatesë përgjatë viteve, Bejari njihet si Sensei Fazliu (mjeshter ne japonishte). Si i tillë, sot mban thirrjen 6 Dan në karatenë tradicionale Shotokan, si dhe thirrjen 5 Dan në Tang Su Do, një art marcial korean. Është i licencuar nga Federata Ndërkombëtare e Karatesë Tradicionale në Los Angjeles të Kalifornisë në SHBA, organizata më kompetente në botën e karatesë sot.
Përpos angazhimit si instruktor për shumë vite, Bejari ka kontribuar edhe në jetën akademike në sferën e arteve marciale, duke përkthyer dhe botuar disa libra në gjuhën shqipe, e që i kanë munguar bibliotekave tona. Ndër to janë: “Fjalor i karatesë”, “Doracak per trajner i karatesë tradicionale”, “Rregullat e garave të karatesë tradicionale”, “Rruga e jetës sime” dhe “Fjalor i karatesë për shotokan”.
Sensei Fazliu, për momentin vepron dhe jeton në Filadelfia të SHBA-ve, bashkë me shoqen dhe dy djemtë. Sa herë i jepet mundësia, vjen në vendlindje, ku përmes formave të ndryshme bart te instruktorët shqiptarë njohuritë që merr nga mjeshtrit botërorë.
Në planet e tij për të ardhmen, është ngritja dhe ndërtimi i një qendre kryesore të karatesë diku në trojet shqiptare (Hombu Dojo, nga terminologjia japoneze), ku do të gravitonin studentë e instruktorë jo vetëm shqiptarë, por edhe nga rajoni dhe e gjithë bota.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com