Kadriu : Ligji ekzistues diskriminues për shqiptarët nga Lugina e Preshevës

0
Kadriu
Kushtrim Kadriu ka thënë se ligji ekzistues është diskriminues për shqiptarët nga Lugina e Preshevës, sepse i barazon ata me kinezët dhe të tjerët.
Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar (KBN) ka miratuar raportin e punës për 6-mujorin e parë të këtij viti, të cilin e ka prezantuar kryesuesi i kësaj trupe komunale, Kushtrim Kadriu. Ai ka thënë se KBN i ka zhvilluar aktivitetet e veta sipas përgjegjësive që ka me rregulloren komunale.

Kadriu ka nënvizuar një seri takimesh të cilat janë mbajtur gjatë kësaj periudhe, ku janë trajtuar çështjet e bashkëpunimit me komunat e Kosovës Lindore, problemet e të dëbuarve dhe të tjera. “Bashkëpunimi me Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, është interes kombëtar”, ka thënë Kadriu.

Në takimin e janarit, Gentiana Shabani, koordinatore e Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (ZPMB), ka nënvizuar se Zyra për PMB si dhe Lëvizja “Vatra”, si subjekt që tubon shqiptarët nga Lugina e Preshevës, do ta japin kontributin e tyre në amendamentimin e ligjit për të huaj në Kosovë, duke kërkuar sa më shumë lehtësira për shqiptarët nga Kosova Lindore, sa i përket marrjes së shtetësisë.

Kadriu ka thënë se ligji ekzistues është diskriminues për shqiptarët nga Lugina e Preshevës, sepse i barazon ata me kinezët dhe të tjerët.

Duke folur për bashkëpunimin me komunat e Luginës së Preshevës, Kadriu ka nënvizuar rrezikun për humbjen e pushtetit në Bujanoc, nga krijimi i shumë partive politike.

Komiteti ka kryer një vizitë në brezin kufitar Kosovë-Serbi-Maqedoni, për t`u njohur me hallet e banorëve në këtë zonë. Anëtarët e Komitet i kanë inkurajuar banorët që të qëndrojnë në këto treva e të zhvillojnë jetën e tyre. Kadriu ka thenë se kërkesë e banorëve ka qenë hapja sa më parë e pikëkalimit në Stançiq, ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Në maj është mbajtur takim parapërgatitor për debatin me liderët politikë të Kosovës Lindore, kurse përgjegjësja e Zyrës për Presheve, Bujanoc, Medvegjë ka raportuar për aktivitetet e saj.

Në qershor, KBN në Gjilan, ka mbajtur një debat me përfaqësues të institucioneve lokale nga komunat Preshevë e Bujanoc, ku është biseduar për bashkëpunimin ndërkufitar në nivel komunash, veçmas Gjilanit, Preshevës e Bujanocit, si dhe nevojën për shtrirjen e këtij bashkëpunimi në një rrafsh më të gjerë, duke përfshirë edhe komunat e banuara me shqiptarë përgjatë brezit kufitar në Maqedoni, ka thenë Kadriu.

KBN ka diskutuar po ashtu edhe për manifestimin e shënimit të përvjetorit të dëbimit të popullatës shqiptare nga Kosova Lindore./rajonipress/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com