Juve përmbys gjithçka dhe shkon në finale
10:00 | 07 Prill 2015

Me një paraqitje mbresëlënëse, Juventusi e ka siguruar pjesëmarrjen në finale të Kupës së Italisë, pas triumfit prej 3-0 si mysafir i Fiorentinas në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të kësaj gare.

juve-p-euml-rmbys-gjith-ccedil-ka-dhe-shkon-n-euml-finale-video_hd Në përballjen e parë në Torino, Viola fitoi me rezultat 2-1, mirëpo pas ndeshjes në Artemio Franchi, Zonja e Vjetër kualifikohet në finale me rezultat të përgjithshëm prej 4-2. Marrë parasysh rezultatin nga përballja e parë, ishte e natyrshme që Bianconerët ta kërkonin golin që nga fillimi i sfidës. Ata i dominuan 45 minutat e para dhe në këtë periudhë shënuan dy gola. Goli i parë ishte meritë e Marchisios, i cili ia rrëmbeu topin Borja Valeros, shkoi në sulm dhe pasoi te futbollistët ofensivë. Portieri Neto ndali goditjen e Pereyras, por aty ishte Alessandro Matri për të realizuar (21’). Morata ishte meritor për golin e dytë. Spanjolli pranoi një top nga Matri dhe dërgoi një goditje që portieri vendas vetëm e çoi në drejtim të Roberto Pereyras, i cili vrapoi dhe e futi në rrjet (44’). Ndoshta momenti i vetëm i rrezikshëm nga Viola në gjysmën e parë, ishte një harkim i Fernandez, të cilin Rodriguez e futi në rrjet, por nga pozita jashtë loje. Vendasit rrezikuan më shumë në fraksionin e dytë, mirëpo ishin të pafuqishëm përballë lojtarëve bardhezinj. Mysafirët nga ana tjetër realizuan edhe golin e tretë. Marchisio harkoi nga këndi, ndërsa goditja e Leonardo Bonuccit ishte e pandalshme (59’). Kur po afrohej fundi i takimit, arbitri e përjashtoi me karton të kuq Alvaro Moratan për një ndërhyrje në Diamantin (87’). Në finale, Juventusi pret fituesin e duelit ndërmjet Napolit dhe Lazios. Ndeshja e parë në Olimpico është mbyllur me rezultat 1-1. Finalja zhvillohet më 7 qershor pikërisht në Stadio Olimpico në Romë./Telegrafi/
Aurela Hoxha