Jahjaga: Institucione që përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare
10:48 | 14 Nentor 2014

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një komunikate për media ka sqaruar se sot gjatë ditës ka takuar dy nga liderët e partive politike parlamentare, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Ajo gjithashtu ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të trajtuar çështjen e ndërtimit të institucioneve të vendit. Jahjaga ka theksuar se “ka kërkuar nga tre liderët, të tregojnë pjekuri politike dhe duke lënë anash mospajtimet ndërmjet tyre dhe interesat e ngushta, të veprojnë shpejt për ndërtimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re”. Sipas saj, liderët e partive politike parlamentare duhet të veprojnë shpejt për të siguruar qëndrueshmërinë e vendit. “Ne duhet të dëshmojmë përkushtimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës, duke respektuar kuadrin tonë kushtetues. Jam e përkushtuar që duke garantuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, të zbatoj në përpikëri vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet e reja duhet të ndërtohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Duhet të garantojmë se me institucionet e reja do të përmbushim çdo detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe gjithashtu obligimet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, partneriteti me të cilën është jetik për vendin. Dialogu politik është i rëndësishëm për forcimin e demokracisë së brendshme dhe ai duhet të zhvillohet, pavarësisht mospajtimeve, në interes të qytetarëve dhe të avancimit të proceseve të përgjithshme në vend”, thuhet më tej në komunikatë.
Edlira Rukaj