Itali: Dy të rinj shqiptarë i japin fund jetës duke u hedhur nga lartësia
09:58 | 22 Mars 2015

Fund tragjik për jetën e dy të rinjve shqiptarë të cilët jetonin prej kohësh në Itali dhe i kanë dhënë fund jetës në mënyrë të dhimbshme. foto Viktimat janë një djalë 26 vjeç, emigrant shqiptar në rajonin e Lombardisë dhe një tjetër 37 vjeç, raporton korrespondentja e NOA.al duke cituar burime nga policia e Milanos. Viktimat u regjistruan në orët e para të ditës së diel. Ata janë hedhur nga dritaret e banesave ku jetonin, përkatësisht në Milano dhe në Brescia. Ngjarjet kanë ndodhur natën duke u gdhirë dita e sotme dhe gjatë paradites, në Breshia dhe Milano. Në Milano një 26-vjeçar shqiptar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i banesës ku ai jetonte, në katin e katërt të një pallati që shikoni në foto tek rruga "Inama". Dëshmitarët kanë treguar për policinë se i riu ishte në ballkon dhe thoshte fraza të pakuptueshme. Në një moment ai është hedhur duke i dhënë fund jetës. Ndërsa gjatë natës duke gdhirë e diela, një 37-vjeçar shqiptar besohet se ishte në gjendje të dehur kur ai është hedhur nga dritarja e banesës së tij duke i dhënë fund jetës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Coccaglio në Breshia. Policia lokale citon fqinjët të kenë treguar se i ndjeri kishte tentuar edhe më parë, gjatë ditës së djeshme që të hidhej, por kishte qenë gruaja që e kishte ndaluar. Gjithsesi ai e kishte gjetur momentin që t’i jepte fund jetës. Policia tha se është duke kryer hetime për të dy emigrantët që i dhanë fund jetës. Duke folur mbi hetimin për vdekjen e 37 vjeçarit V.P., policia në Brescia tha sot se i ndjeri gjeti vdekjen duke u hedhur nga dritarja, ndërsa ishte duke festuar ditëlindjen e tij.
Aurela Hoxha