Ish presidentja Atifete Jahjaga takohet me shkrimtarin Ismail Kadare

0

Ish-presidentja Atifete Jahjaga është mjaft aktive kohëve të fundit.

Ajo së fundmi ka takuar edhe shkrimarin e njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Përbri fotografive të postuara në Facebook, Jahjaga shkruan:

Me shkrimtarin Ismail Kadare në Tiranë biseduam për nevojën e rimëkëmbjes kulturore në hapësirat shqiptare për të rigjeneruar dhe forcuar vlerat demokratike.

Ndryshe, së fundmi Jahjaga ka qenë edhe në një storie të magazinës së njohur franceze, Elle Magazine.

Ajo njoftonte në Facebook:

Elle Magazine France ishte në Kosovë dhe bëri një shkrim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, sfidat më të cilat ballafaqohen ato, kërkesat dhe shpresat e tyre. Më vjen mirë që mediat ndërkombëtare vazhdojnë ta trajtojnë këtë çështje, sepse e gjithë bota duhet ta dijë se çfarë krimi të tmerrshëm ka kryer regjimi i Millosheviqit ndaj mijëra grave e burrave në Kosovë. Unë do të vazhdoj ta ngris zërin në mbështetje të këtyre viktimave deri në vendosjen e drejtësisë!

Përkthimin e artikullit e gjeni më poshtë:

Kosovë, të mbijetuarit e dhunes seksuale gjatë luftës dalin nga heshtja

Mijëra Kosovarë viktima të serbëve mund të kërkojnë reparacione falë Atifete Jahjagës, ish-presidentes së tyre të Republikës. Fundi i një tabuje të vjetër 20 vjeçare.

Njëzet e dy gra përqafohen në një sallë të vogël. Ato janë një. Dhembja e njëjtë i bën bashkë. Rrudhat ua kanë shënuar fytyrat përpara kohës. Gishtat e tyre që kapen dhe thehen i tradhëtojnë vuajtjet që s’thuhen. Dhe kështu është që nga lufta e cila i ka shkatërruar trupat e tyre, njëzet vjet më parë. Por një shkëlqim i vogël ndizet në sytë e tyre kur vizitorja e merr fjalën. « Ju jeni shumë të forta, jeni të mbijetuara, vazhdoni t’i kërkoni të drejtat tuaja, » i inkurajon Atifete Jahjaga me një zë të ngrohtë, « unë do të vazhdoj ta mbështes luftën tuaj. » Në këtë ditë pranvere, kur bora ende vezullon në majat e maleve të Kosovës, ish-presidentja e Republikës së Kosovës ka ardhur në Qendrën e Promovimit të Drejtave të Grave në qytetin e Drenasit për t’i vlerësuar efektet e para të komisionit qeveritar për verifikimin dhe kompensimit të viktimave të dhunës seksiale gjatë luftës.

Ky shtet i Ballkanit i ka festuar në shkurt dhjetë vitet e tij të ekzistencës. Ende fragjil, ai është ndërtuar mbi rrënojat e konfliktit i cili, në 1998 dhe 1999, i bëri ballë armatës së Jugosllavisë me forcat çlirimtare të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe ndërmjet 10,000 e 20,000 gra ishin përdhunuar nga policia, ushtarët dhe paramilitarët serbë. Të mbytura nga bashkësia ndërkombëtare që administronte vendin dhe pastaj të varrosura në heshtje nga rendi patriarkal, këto abuzime mbetën të pandëshkuara. Vetëm katër dënime u dhanë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Atifete Jahjaga, e cila ishte Presidente e Republikës së Kosovës nga 2011 deri në 2016, po lufton për të hequr tabunë që i ka burgosur viktimat qe dy dekada. Një angazhim total politik dhe personal. Komisioni u krijua para dy muajsh. « Frika nga të qenurit e stigmatizuar ende i pengon gratë që ta bëjnë një hap. Vetëm 200 dosje janë parashtruar, » thotë 43-vjeçarja që ka ditur se si të imponohet në një botë burrash. Pensioni mujor prej 230 eurosh i paraparë për t’i kompensuar viktimat përbën megjithatë një shumë të konsiderueshme në Kosovë, 90% të pagës mesatare të grave. Por « kultura e mosndëshkimit i ka mbyllur në frikë. » Atifete Jahjaga është e zemëruar me forcat serbe që kanë kryer përdhunime ashtu si me shoqërinë e vet konservatore e cila « refuzon të pranojë se këto krime kanë ndodhur ». Që atëherë, kujtesa e tyre e përhumb vendin si një fantazmë. Ajo kalon në fabrikën e braktisur të një zone industriale, në buzë të rrugëve ku gratë e deportuara për në Maqedoni dhe Shqipëri ishin rrëmbyer nga konvojet nga torturuesit e tyre, në hambare dhe shtëpi …

Në vitin 2011, në një vend të paralizuar nga krizat që përsëriteshin, në atë kohë zëvendës drejtore e Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga u zgjodh Presidente nga deputetët. Ajo atëherë i kishte 35 vjeç dhe nuk kishte përvojë politike. Trajnuar nga FBI në Shtetet e Bashkuara, vajza e re gjithashtu ka bërë studime të shkëlqyeshme në Angli dhe Gjermani. Nga ky rrugëtim jashtë vendit, ajo e mbajti një parim nga i cili pret që të përfitojë Kosova, ai i « ëomen empoëerment », emancipimi i femrave. E vendosur për t’i dhënë fund diskriminimeve seksiste, e veshur përkryer në një kostum koral, në stilin e Hillary Clinton, foton e së cilës e ka vendosur në zyrën e saj, ajo i konsideron bashkatdhetaret e saj të dhunuara si «të mbijetuara»: «Termi « viktimë » i mbyll dhe e bllokon rindërtimin,» shpjegon ajo. Kur ajo e merr detyrën, shefja e re e Shtetit, ishte e zemëruar kur e zbulon maçoizmin që e nënvizon ligjin në favor të veteranëve të luftës dhe familjet e ushtarëve të vrarë. Për ta nderimet e kombit, pensioni, qasje e lirë në kujdesin mjekësor…« Gratë e përdhunuara thjesht ishin harruar. Për këtë arsye, vendosa të jem zëri që ato nuk e patën asnjëherë. » Mosnjohjes nga shteti i shtohet stigmatizimi, frika nga largimi për tek familja e prindërve, dhuna e shkaktuar nga familja e burrit…

Në një fshat, për shembull, tetë gra të akuzuara për çnderimin e bashkësisë së tyre ishin hedhur në bunar, njëra pas tjetrës. Duke krijuar një Këshill Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale në vitin 2014, Atifete Jahjaga arrin të bashkojë të gjithë përfaqësuesit politikë të bashkësisë ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile rreth çështjes së njohjes së tyre. Debatet ishin të dhunshme. Të flasësh për përdhunimet, për ithtarët e mosndryshueshmërisë, është të hedhësh turp mbi të gjithë komunitetin. Argumenti i një anëtari të Parlamentit, një mjek, e përmbledh shkallën e rezistencës: « Çfarë thoni se ata u përdhunuan vërtetë? »

Igballe Rugova e udhëheq Rrjetin e Grave të Kosovës, një organizatë pioniere në angazhimin e këtyre grave të përjashtuara nga shoqëria. « Para ardhjes në presidencë të Atifete Jahjagës, OJQ-të nuk kishin asnjë mbështetje institucionale », thotë ajo. « Pa vendosmërinë e saj, ligji që siguron kompensim nuk do ta kishte parë kurrë dritën e ditës. » Edhe pse u desh të pritej shkurti 2018 që komisioni qeveritar të fillojë së funksionuari, sot, tabuja e përdhunimeve nuk ekziston më në nivel shtetëror. Në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, në katin e tretë të një ndërtese moderne, Minire Begaj, kryetarja e këtij komisioni, nuk e fsheh kënaqësinë e saj. Këtë pasdite do të ekzaminohen tetëmbëdhjetë dosje. « Kompensimi dëshmon se shteti merr parasysh vuajtjet e përjetuara, » shpjegon ajo. Persona që nuk kishin folur kurrë, i filluan procedurat, ata e kuptuan që më në fund kishte konsideratë për ta.»

Ky është rasti i Kadires dhe Dias.* Gjashtë muaj më parë, dy motrat gjetën forcën për të shtyrë derën e shoqatës Medica Gjakova. Qendra është dy orë larg me autobus nga fshati i tyre. Ekziston megjithatë një strukturë e ngjashme shumë afër shtëpisë së tyre, por ato kishin frikë se do ta takonin ndonjë të njohur. Njëra pranë tjetrës, një jastëk mbi gjunjë, ato flasin me radhë. Kur stresi bëhet shumë i madh për njërën, tjetra vazhon. Pastaj anasjelltas. Fjalët e mbajtura për njëzet vjet dalin si një rrëke. Gjatë luftës, ato ishin 10 dhe 11 vjeç. « Ushtarët serbë na çuan në një shkollë, me nënën tonë dhe dy motrat tona të tjera, » fillon më e reja. « Ata ishin aq të mëdhenj. Na mbyllën në një klasë. » Katër ditë me radhë ato ishin përdhunuar, « në të gjitha mënyrat e mundshme », vazhdon motra.

Më e reja e kalon mekanikisht gishtin e saj mbi një mbresë përmbi sytë e saj të gjelbër. Sulmuesi i saj i parë kishte gërvishtur me thikë “kryqin e të krishterëve” në fytyrën e saj (serbët janë ortodoksë, kosovarët myslimanë). « Edhe sot, frika jonë më e madhe është në mos kushërinjtë tanë tregojnë se në çfarë gjendje na patën gjetur, në gjak, të paafta për të ecur. Deri në frymën tonë të fundit, ne do të jetojmë me këtë frikë. Babai ynë nuk e di. Ai thotë se nëse do të kishte raste në familjen e tij, ai do t’i vriste. »

Në fshatra, turpi vazhdon. Për të ardhur për ta takuar Atifete Jahjagën, 43-vjeçarja Feride * i ka thënë familjes së burrit se po shkonte tek dentisti. Vëllai i saj, në besim, vjen për ta marrë me makinë. Kjo nënë e dy fëmijëve e ka mbushur dosjen për ta marrë një kompensim. Fshehtas nga katër kunatat e saj. Kur kjo temë trajtohet në televizion, ato indinjohen: « Po si mund të guxojnë të kërkojmë para për këtë? » Natyrisht, Dia nuk ka mundur asnjëherë t’ua tregojë atyre fatkeqësinë e saj. Për ta justifikuar fitimin e 230 eurove në muaj, ajo i ka planifikuar të tëra: « Unë do të them se kjo është rezultat i shitjes së punës sime qepëse për shoqatën. » « Ju keni arritur të ndërmerrni hapin e parë », uron Atifete Jahjaga. « Një ditë, do të keni forcën t’i tregoni fëmijëve tuaj se çfarë ju ka ndodhur. »

Të flasësh në mënyrë që të mos u transmetohen traumat e së kaluarës gjeneratave të ardhshme është çështje esenciale. Në këtë rajon të Evropës Lindore, të plagosur nga një varg luftërash civile në fund të shekullit të XX-të, paqja mbetet e brishtë. Pajtimi kalon përmes reparacionit. « Kompensimi përbën etapën e parë, e dyta do të jetë kërkimi i drejtësisë para tribunaleve », shpreson ish-presidentja. * Emrat e grave janë ndryshuar.

Box:

E pathëna supreme

Ka pasur po ashtu burra të cilët janë përdhunuar gjatë luftës. Kjo temë është edhe më tabu se për gratë. Rendi patriarkal i imponohet secilit, pavarësisht gjinisë. Nga dyqind raste të adresuara në komisionin e kompensimit, një grusht kanë të bëjnë me burra. Petriti, 25 vjeç, është trajnuar për t’i ndihmuar këtyre të fundit ta plotësojnë aplikacionin e tyre. Vetëm një ka guxuar të vinte dhe të fliste me të. « Ndjenja e fajësisë tek ai ishte e madhe. Ai thoshte se do të duhej të ishte në gjendje të mbrohej. Ai qante pa u ndalur kur tregonte. » Një fund-dite, gjatë luftës, ky baba i sotëm, po ecte në male me katër fshatarë të tjerë kur ushtarët serbë i rrethuan. Ferri i tyre kishte zgjatur pesë orë. Pastaj, pa asnjë fjalë, secili prej tyre kishte ikur në drejtim të ndryshëm me sekretin e tij të tmerrshëm. Ata nuk u takuan më kurrë.

« Unë jam i vetmi person të cilit ai ia ka zbuluar atë që I kishte ndodhur, » shpjegon Petriti. « Ai më kishte paralajmëruar se, pasi të më tregonte, ai nuk do të mund të më takonte prapë, për shkak të turpit. Ka ndodhur e kundërta. Ne nuk flasim më për këtë, por jemi bërë të afërt. »

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Gjuha / Jезик / Language »