Isa Boletini ishte “Robin Hudi i shqiptarëve”

0

Isa Boletini është një nga figurat kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kontributi i tij kombëtar nis që nga mosha 17-vjeçare, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të vazhduar në periudhën midis viteve 1909-1912, posaçërisht në Kryengritjen e vitit 1910 dhe Kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912.

auto_11401533_10153334332499840_1278666611320543922_n1433879306

Historiani kosovar, Frashër Demaj ka folur për “Zërin” rreth figurës së Isa Boletinit dhe rëndësinë që ai ka pasur në çështjen kombëtare. “Duke qenë se Isa Boletini është ndër njerëzit kryesorë me të cilët identifikohet Pavarësia e Shtetit Shqiptar, duhet të respektohet në gjithë gjeografinë shqiptarë”, ka thënë Demaj për “Zëri.info”.

Sipas Demajt,  Isa Boletini është personalitet i përmasave të mëdha, duke shtuar se autoriteti popullor i Isa Boletinit dhe afinitetet e tij prej udhëheqësi e bënë atë personalitet për t’u konsideruar edhe nga konsullatat dhe ambasadat e fuqive të mëdha në rajon.

“Konsujt dhe ambasadorët në rajon e shihnin Isa Boletinin si njërin ndër njerëzit më të rëndësishëm të kohës në mesin e shqiptarëve. Atë e njohën dhe e respektuan edhe shumë politikanë e diplomatë nga Fuqitë e Mëdha. Madje politikani dhe diplomati britanik Herbert e quan “Robin Hudi i shqiptarëve””, ka thënë Demaj.

Historiani kosovar ka thënë se Isa Boletini duhet të varroset në Boletin sepse kontributi i tij më i madh lidhet me Vilajetin e Kosovës, duke shtuar se ai me ushtarët e tij ishte garda e parë e shtetit shqiptar. Njëkohësisht ky është edhe mesazhi i duhur për të gjithë skeptikët dhe shovinistët.

Image

 

Demaj mendon se varrimi i eshtrave të Isa Boletinit në Boletin nuk është kurrfarë provokimi për asnjëri.

“Isa po varroset në vendlindje, në Kosovë, për të cilën ka luftuar e ka kontribuar gjithë jetën. Serbët lokalë nuk duhet të inskenojnë situata sepse këto janë të papranueshme. Secili qytetar i Kosovës aq sa ka të drejtë të jetojë e të punojë në Kosovë, po aq është i obliguar që të respektojë ligjet, Kushtetutën dhe popullsinë shumicë të këtij vendi”, ka shtuar Demaj.

Isa Boletinin u munduan ta “bënin për vete” edhe Perandoria Osmane, Mali i Zi dhe Serbia, por sipas Demajt, ai ishte dhe mbeti personalitet i qëndrueshëm përballë sfidave dhe tundimeve, duke lënë mënjanë gjithçka dhe duke u përkushtuar i tëri për liri e shtet kombëtar.  Ndërkaq, kortezhi që bart eshtrat e heroit të kombit u nis nga Prishtina, ku sot u mbajt një mbledhje komemorative e Kuvendit dhe u bënë homazhe para arkivolit, ndërsa pritet të arrijë në Mitrovicë çdo moment. Varrimi i Isa Boletinit bëhet nesër në fshatin e tij të lindjes, Boletin.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com