Imigrimi ne Kanada: faktet dhe mitet

0

Kohëve të fundit, fatkeqësisht, një tragjedi e re e ka kapluar Kosovën – eksodi i bashkëvendasve tanë drejtë rrugës së kurbetit. Është më shumë se tragjedi që një dekade e gjysmë pas çlirimit, kosovarët po marrin dhenë. Skenat nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë janë rrëqethëse. Njerëzit po ikin nga Atdheu i tyre, fëmijët po braktisin shkollat, studentët po lënë studimet, e në disa raste edhe foshnjat po ndahet nga djepi i tyre.

kanadska-zastava527Lotët e këtyre fëmijëve janë mallkim i madh. Mallkim që do t’i zë, gjithsesi, ata që mbajnë përgjegjësi për vrasjen e shpresës së këtij populli. E siç, e kam thënë edhe më herët: një popull nuk shuhet kur tjetri e vret atë, e dëbon atë, e përdhunon atë, e diskriminon atë, e djeg atë… se një popull shuhet kur tjetri ia vret shpresën. Kot nuk thuhet: shpresa vdesë e fundit!

Këtë tragjedi po e rëndon edhe më shumë fakti që disa njerët po e shfrytëzojnë këtë kohë të zymtë për përfitime personale, as të dinjitetshme e as me nder. Disa njerët janë bërë argatë të se keqes për të mirën e xhepit të tyre.

Në inbox-in time në Facebook, por edhe në email, nuk ka ditë që nuk marrë me dhjetëra e dhjetëra mesazhe e kërkesa nga miq, dashamirë, por edhe të atillë që personalisht nuk i njoh (nga Kosova), që kërkojnë sqarime dhe ndihme për imigrim në Kanada.

Dikush në Kosovë e ka keqpërdorë lajmin se Kanadaja ka nevojë për njerëz dhe po përfiton në emër të këtij lajmi. Dikush tjetër po pretendon se të gjithë ata që nuk do të pranohen për azil në Gjermani, me aeroplan do të dërgohen ne Kanada. E, dikush, po plotëson dokumente për viza imigrimi në Kanada, për një pagesë të majme, pa ia sqaruar si duhet kushtet që kërkohen nga shteti kanadez këtyre nevojtarëve të gjorë të Kosovës… E, lista e të tillëve vazhdon, por këto që i ceka janë më kryesoret.

Andaj, përmes këtij shkrimi publik, dua t’i njoftoj të gjithë bashkëvendësit e mi në lidhje me faktet dhe mitet e imigrimit në Kanada, ashtu që të mos bien pre e dashakeqësve.

Së pari, po fillojmë me faktet:

– Kanadaja ka nevojë për njerët – për imigrantë – që i ndihmojnë Kanadasë në përmbushjen e nevojave të tregut te punës dhe ekonomisë së vendit.

– Kanadaja ka reformuar dukshëm sistemin e imigrimit, dhe që nga 1 janari 2015 ka lansuar sistemin e ri të imigrimit të quajtur “Express Entry”.

– Qëllimi i këtij sistemi është që të përshpejtojë imigrimin në Kanada për imigrantë të kualifikuar, që i nevojiten tregut të punë dhe ekonomisë së vendit.

– Imigrantë të kualifikuar, sipas ligjit këtu, konsiderohen të gjithë ata kandidatë që plotësojnë kriteret e përcaktuar me ndonjërin nga tri programet kryesore te imigrimit: punëtorë profesionalë (Federal Skilled Workers), punëtorë teknikë mjeshtër (Skilled Trade Wokers), dhe ata me eksperiencë në Kanada (Canadian Experience Class, ku përfshihen punëtorët e përkohshëm në Kanada dhe studentët që kanë diplomuar nga ndonjë program akademik në Kanada që ka zgjatë të paktën dy vite).

– Për t’u kualifikuar për imigrim, qoftë përmes programit të punëtorëve profesionalë apo atij të punëtorëve teknikë/mjeshtërve, kandidatët duhet të kenë njohuri goxha të avancuara të anglishtes ose frëngjishtes – njërën nga gjuhët zyrtare të Kanadasë; të kenë të paktën dy vite përvojë punë në profesionin e tyre; dhe, të kenë kredenciale akademike që dëshmon profesionin e tyre. Një ofertë pune nga një punëdhënës në Kanada është po ashtu e rëndësishme për kualifikim.

– Kjo do të thotë se nëse ju nuk e keni kryer testin IELTS (anglisht) ose TEF (frëngjisht) me rezultate të kërkuara sipas këtyre programeve (IELTS mbi 50 për qind në shumicën e komponentave, p.sh.), atëherë ju nuk kualifikoheni për imigrim në Kanada, edhe nëse keni shkollën përkatëse dhe përvojën e punës. Çfarëdo dëshmie tjetër për njohje të anglishtes ose frëngjishtes është e papranueshme përveç këtyre testeve në fjalë.

– Andaj, vetëm nëse e keni kryer testin përkatës së gjuhës me sukses, keni profesionin e duhur, kredencialet e duhura, dhe përvojën e duhur të punës sipas programit përmes së cilit doni të aplikoni, ju mund të kualifikoheni për imigrim në Kanada. D.m.th. i plotësoni kushtet bazike dhe mandej duhet bërë gjithçka që të siguroni edhe një ofertë pune, përkrahje nga familjarë ose të njohshëm në Kanada, ashtu që të merrni ftesën nga Ambasada kanadeze përkatëse për të marrë vizën permanente të këtij shteti.

Tani, disa nga mitet që janë krijuar dhe mbi të cilat njerëzit po përfitojnë jo ndershëm:

– “Ka një marrëveshje që të gjithë azilkërkuesit kosovarë që nuk i pranon Gjermania, do të dërgohen në Kanada”. E pavërtetë e madhe!

– “Kompania jonë ju ndihmon për imigrim në Kanada, sepse ne ua mbushim aplikacionet e duhura dhe i dërgojmë në Ambasadën Kanadeze në Vjenë se, fatit nuk i dihet, e të marrin ty (dhe familjen), se Kanada po lypë punëtorë”. E pavërtetë e madhe! Askush nuk mund të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për imigrim. Asnjë aplikacion që nuk përmban në vete edhe dokumentet përkatëse të testit IELTS ose TEF nuk konsiderohet i plotë dhe si i tillë refuzohet menjëherë nga Ambasada. Të gjithë ata që e luajnë këtë lojë fati do të dëshpërohen dhe do të kenë harxhuar para kot së koti!

– “Po kjo kompania ma ka dërgua edhe një SMS ku thonë: këtu duhet me apliku për imigrim në Kanada, dhe se 99 për qind e lëndës procesohet aty, dhe kushton 184 euro me apliku me familje dhe 84 euro si çift ose vet… Garant, kompania në fjalë e din çka duhet edhe kjo punë është zyrtare dhe në bashkëpunim me Ambasadën ose zyrën e Imigracionit të Kanadasë…”! E pavërtetë e madhe! Që ka kompani që ju ofron shërbime administrative në mbushjen e dokumenteve, është në rregull. Por, as kjo kompani as ndonjë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë lidhje zyrtare as me Ambasadën kanadeze në Vjenë e as me Departamentin e Imigracionit dhe Shtetësisë në Kanada. Nëse ndokush thotë se ua proceson lëndën në emër të Ambasadës ose Departamentit të Imigracionit dhe Shtetësisë se Kanadasë, ata po ju mashtrojnë! Të gjithë ju që mendoni se nëse e paguani këtë shërbim për mbushje aplikacionesh e keni më të lehtë imigrimit, e keni gabim. Për të imigruar në Kanada duhet të plotësoni kushtet ligjore të parapara me programin përkatës së imigrimit. Mandej, nëse i plotësoni këto kushte, është zgjedhje e juaja nëse doni të paguani dikën të merret me anën administrative të mbushjes së aplikacioneve për ju ose jo. Kjo është fer dhe zgjedhje e juaja pastaj.

Për fund, besoj se të gjitha këto sqarime do t’ju ndihmojnë sado pak të gjithë juve që keni interesim për imigrim në Kanada, ta kuptoni procesin me drejtë. Po, Kanadaja i ka dyert e hapura për imigrantë të kualifikuar, por në bazë të ligjeve dhe kushteve përkatëse. Assesi ndryshe! Andaj, mos harxhoni as kohë e as pare për aplikim me mendimin “hajt se nashta ma rrokë” pa i plotësuar kushtet ligjore që kërkohen nga “Express Entry”, se definitivisht nuk “ta rrokë.”

(Autori është shtetas kanadez, ligjërues dhe studiues doktorate në Universitetin e Albertës, në Edmonton, Alberta, Kanada, dhe ka qenë i përfshirë edhe në Grupin e Diskutimit dhe Analizave në kuadër të Universitetit të Albertës gjatë përpilimit të sistemit të ri të imigrimit të Kanadasë).

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com