Iljasa Zulfiu, futbollisti preshevar që po konsiderohët Fadil Vokrri i ri
14:49 | 29 Shtator 2017

Iljasa Zulfiu po konsiderohet si Fadil Vokrri i ri nga ekipi i tij Radnik Surdulica dhe mediumet serbe. 19-vjeçari pritet të jetë shqiptari i parë që do të luajë në Superligën e Serbisë në dekadën e fundit. Mediat në Beograd shkruajnë se ai do të jetë shqiptari i parë në elitën e Serbisë, që nga koha e Fadil Vokrrit në Partizan (1986-1989), por në fakt Ardian Gjokaj ka luajtur deri në vitin 2006 në këtë vend dhe ai llogaritet shqiptari i fundit. Zulfiu ka firmosur në fillim të këtij viti për Radnikun, por është huazuar për të marrë përvojë te skuadra e ligës së tretë, Ozren Sokobanja, shkruan KD. “Djaloshi është fantastik dhe brenda një kohe të shkurtër është bërë i dashur si për bashkëlojtarët ashtu edhe kryesinë”, ka thënë drejtori i Radnikut, Stanislav Tonçev. “Askush nuk ka shikuar se çfarë nacionaliteti ka për shkak se të gjithë jemi njerëz. Sporti dallon prej politikës”, shtoi ai. “Para këtij djaloshi është një e ardhme e ndritur dhe duhet vetëm të vazhdojë të punojë”, përfundoi drejtori i Radnikut. Zulfiu është nga Presheva dhe hapat e parë në futboll i ka marrë nëpër ekipe të ndryshme të këtij qyteti. Ai të gjitha këto pritshmëri i ka parasysh dhe po punon që sa më shpejtë t’i arrijë.
Françeska Jaçe