Ilaçi për t’u pasuruar

0

Aspekti human i shëndetësisë merr dimension tjetër sa herë që në Kosovë bëhet fjalë për keqpërdorimin e barnave në sistemin publik.

ila-ccedil-i-p-euml-r-t-rsquo-u-pasuruar_hd

Ministria e Shëndetësisë çdo vit ndan rreth 21 milionë euro për barna. Rreth 15 milionë nga to shkojnë për QKUK-në. Megjithatë, që nga paslufta pacientët janë përballur me mungesë të barnave dhe të materialit tjetër nëpër spitale.

QKUK-ja ankohet edhe sivjet për buxhet të limituar, por ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, thotë se me 21 milionë euro mund të përmbushen të gjitha nevojat e pacientëve nëse nuk keqpërdoren barnat, shkruan sot “Koha Ditore”.

QKUK-ja është institucioni ku dyshohet se bëhen keqpërdorimet më të mëdha të barnave. Vetëm këtë vit janë duke u hetuar katër zyrtarë të QKUK-së për keqpërdorim dhe dyshim se barnat e institucionit i kanë nxjerrë jashtë apo edhe i kanë shitur në barnatore private.

MSh-ja dhe QKUK-ja për vite të tëra janë në dijeni se dikush po i nxjerr jashtë barnat e sistemit publik, megjithatë karshi këtyre dyshimeve kanë qëndruar indiferentë. Qëndrimi i dy institucioneve kryesore shëndetësore karshi keqpërdorimeve me barna i ka prurë pacientët në një situatë që të blejnë edhe produkte kontrabandë, edhe nëse ekziston mundësia që ato barna të rrezikojnë jetën e pacientëve.

E një hetim tjetër, i cili përfshin gjithë sistemin publik shëndetësor pretendon të zbulojë lidhjet e mjekëve me kompanitë farmaceutike. Hetimi ka të bëjë me dyshime se kompani të caktuara farmaceutike u kanë dhënë para mjekëve në këmbim të përshkrimit të barnave të tyre në recetë. Përveçse para, dyshohet se mjekët kanë përfituar udhëtime e dhurata të ndryshme. /Koha Ditore/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com