I akuzuari për vrasjen e gjilanasit: Më lironi, jam i pafajshëm
23:45 | 24 Shtator 2018

I akuzuar për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje, Feriz Hoti tha para Gjykatës në Gjakovë se është i pafajshëm.

“Kërkoj nga Gjykata që të më lirojë nga aktakuza. Shpreh keqardhje për të dëmtuarën Nazife Jusufi, mirëpo unë jam i pafajshëm dhe se në burg po qëndroj qe 15 muaj pa faj”, tha Hoti.

Prokurori i çështjes, Ali Uka, kërkoi nga Gjykata që të akuzuarin Feriz Hoti ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

“Konsideroj se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar fajësia e të akuzuarit Hoti, e cila mbështetet edhe në provat e administruara”, tha prokurori Uka në fjalën e tij.

Feriz Hoti po akuzohet se natën e 17 majit 2017, kishte privuar nga jeta të ndjerin Hamdi Jusufi.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sefer Morina, i kërkoi Gjykatës që Hotin ta lirojë nga akuza, duke theksuar se aktakuza nuk është e bazuar në fakte dhe se është e kundërligjshme.

“Aktakuza është ngritur sipas bindjes së propozuar të ish-prokurores Shpresa Bakija, sepse me asnjë provë materiale ose verbale nuk është arritur të vërtetohet kryerja e veprës penale të vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje nga i mbrojturi im”, tha avokati.

Avokati Morina shtoi se gjatë bastisjes së shtëpisë së Ferizit nuk është gjetur ndonjë dëshmi e cila do të krijonte lidhje kauzale me rastin e vrasjes dhe se i njëjti është arrestuar një muaj pas ngjarjes së ndodhur.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit 2017, kur qëlloi drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në filim u kërkon të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata vazhdojnë të ikin ai vazhdon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të enjten. /kallxo.com

 

Nevina Shtylla