Hoxhaj: Askush të mos ketë frikë nga bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri

0

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj ka vazhduar me aktivitete të tjera në Tiranë ku të martën ka marrë pjesë në Konferencën rajonale “Shqipëria dhe Kosova në kërkim të të ardhmes së përbashkët” të organizuar nga AIIS dhe FES.

hoxhaj-askush-t-euml-mos-ket-euml-frik-euml-nga-bashk-euml-punimi-kosov-euml-shqip-euml-ri_hd

Në fjalimin e tij, Hoxhaj ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve janë sa strategjike aq edhe natyrale e për këtë bashkëpunim askush nuk duhet të ketë frikë.

“Marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë më shumë se natyrale e historike. Është fakt që bashkëpunimi në vitin 2015 ka kaluar nga një periudhë e romantizmit dhe fjalëve të mëdha në veprime konkrete që lehtësojnë raportet ndërmjet shoqërive, ekonomive e aspekteve të tjera të jetës. Në anën tjetër, askush nuk duhet të ketë frikë nga ky bashkëpunim”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj ka folur në shifra konkrete për nivelin e bashkëpunimit duke thënë se Kosova është e dyta pas Italisë sa i përket eksporteve dhe ka një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve.

Të dyja organizatat në fund të konferencës kanë prezantuar edhe një publikim të përbashkët për nivelin e bashkëpunimit.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në promovimin e veprave të gazetarit të Zërit të Amerikës, Elez Biberaj të cilin e ka cilësuar një personalitet që i ka dhënë zë dhe forcë kauzës së shqiptarëve për liri e pavarësi. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com