Hoti viziton ish-shkollën Naim Frashëri në Novi Pazar
21:01 | 11 Mars 2019
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Sanxhak të Serbisë ka vizituar Muzeun e Qytetit të Novi Pazarit, objekt ky që gjatë viteve 1941-1945 ishte shkollë shqipe dhe mbante emrin e Naim Frashërit.

Shkolla Fillore Shqipe "Naim Frashëri" në Novi Pazar u hap më 1941. Në atë kohë Novi Pazari bashkë me Mitrovicën, Vushtrrinë e Podujevën përbënin Krahinën Autonome Shqiptare në Serbinë e kontrolluar nga gjermanët.

Shkolla punonte sipas programeve dhe teksteve mësimore të Ministrisë së Arsimit në Tiranë me ministër Ernest Koliqin, ndërsa përgjegjës për këtë krahinë ishte Bedri Gjinaj. Mësuesit e kësaj shkolle ishin Xhemaludin Presheva, Avni Zajmi, Nazim Dedolli, Xhemajl Zajmi, Xhevdet Doda etj. Shkolla u mbyll që në vitet e para pasi partizanët komunistë morën kontrollin e qytetit. Objekti i kësaj shkolle tani është Muzeu i Qytetit të Novi Pazarit.

Pjesë e delegacionit nga Kosova ishte edhe profesori Nexhmedin Spahiu, udhëheqësi i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi dhe Xhelal Shaqiri, zyrtar ndërlidhës i Zyrës së Kosovës në Beograd.

Kejvina Kthella