Halimi: Të sigurohen të dhëna të sakta që të përcakohet sa më real numri i banorëve në Luginë

0

Këto ditë udhëheqësit e pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc i akuzuan deputetët Shqiptarë për injorimin e konsultimit që ata e mbajtën në pauzën e shkaktuar nga kryetari i komunës së Preshevës gjatë takimit me ambasadorin e OSBE – së, kryetarin e Trupit koordinues, ekspert ndërkombëtarë të statistikës dhe përfaqësues të Entit Statistikorë të Serbisë.

RizaHalimi
Me këtë rast udhëheqësit e pushtetit lokal nuk e sqaruan se cila ishte rëndësia e këtij konsultimi të pushtetarëve të Preshevës e Bujanocit, posaçërisht kur dihet se në vazhdimin e takimit vetë kryetari i komunës së Preshevës u arsyetua se kishte pasur një keqkuptim me njërin nga ekspertët ndërkombëtarë për shkak të gabimeve gjatë përkthimit simultan. Është e rëndësishme të potencoj se angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë vjen pas Rekomandimit të Komitetit Këshillëdhënës të konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara pas bojkotit të regjistrimit të vitit 2011. Ky Komitet qysh në vitin 2013 kishte kërkuar që me metoda alternative të përcaktohet numri i Shqiptarëve në Serbi si dhe të pengohet zvogëlimi i të drejtave të tyre për shkak të pasojave të këtij bojkoti. Ishte tërë kohën e qartë se ekspertëve ndërkombëtarë do t’iu paraqitet vlerësimi i Entit Statistikorë të Serbisë edhepse të dhënat e këtij vlerësimi nuk u publikuan në këto tri vite vetëm për shkak të imponimit të shenimeve të falsifikuara nga regjistrimi i 2011 – ës, në bazë të cilave në Preshevë jetojnë 416, e në Bujanoc 244 Shqiptarë! Andaj është e qartë se në atmosferë të ngarkuar me frustrime të këtilla politike Enti Statistikorë nuk do të sigurojë shenime objektive me vlerësimin e vet. Në këtë situatë është e domosdoshme që pushtetet lokale të sigurojnë të dhëna me të cilat disponojnë dhe me këtë t’iu ofrohen burime të nevojshme ekspertëve ndërkombëtarë për të nxjerrë vlerësim sa më të afërt për numrin e banorëve në komunat e Luginës së Preshevës si dhe numrin e Shqiptarëve në Serbi. Mirëpo, në vend të shenimeve precize që munden t’i sigurojnë administratat komunale ekspertëve ndërkombëtarë iu ofrua një punim kinse shkencorë i kryetarit të komunës dhe i dy familjarëve të tij vetëm për komunën e Preshevës. Në këtë punim joprofesional me të cilin pretendohet të vlerësohet numri i përgjithshëm i banorëve të komunës së Preshevës, duke i përfshirë edhe ata që jetojnë në diasporë, janë paraqitur të dhëna kontradiktore që e dëmtojnë besueshmërinë e rezultatit përfundimtarë. Së pari në tabelën e numrit të votuesëve të komunës së Preshevës paraqitet ngritja prej 168 votuesëve në vitin 2007 në krahasim me vitin 2006, ndërsa kjo rritje në vitin 2008 në krahasim me vitin 2007 është madje 2.389 votues! Në këtë mënyrë, me siguri falsifikuese, numri i votuesëve nga 30.168 në vitin 2007 rritet në 32.527 në vitin 2008. Në vazhdën e paraqitjes së shenimeve kontradiktore është edhe mospërputhja drastike në mes të dhënave për shtimin natyrorë të popullatës në komunë të Preshevës. Derisa për periudhën 2002 – 2012 është paraqitur shtimi natyrorë për 7.832 banorë, në anën tjetër paraqiten shenime të specifikuara për vitin 2013 me shtim natyrorë prej vetëm 177 banorë dhe për vitin 2014 madje edhe me vetëm 141 banorë! Andaj nuk janë fare serioze akuzat e udhëheqësve komunalë drejtuar deputetëve për mungesë gadishmërie për bashkëpunim në rradhë të parë për shkak të faktit se oferta për bashkëpunim në këtë temë është dashtë të paraqitet para këtij takimi, madje para se kryetari i komunës së Preshevës të ketë vendosur që t’i paraqitet ekspertëve ndërkombëtarë me këtë punim joprofesional. Mungesa totale për bashkëpunim nga ana e udhëheqjes komunale në Preshevë u dëshmua në formën më drastike në seancën e Kuvendit Komunal të Preshevës të 8 qershorit kur në diskutimin për aplikimin e masave të dhunshme në Shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” dhe në Shkollën fillore “Migjeni” iu mohua e drejta legjitime deputetit për t’iu drejtuar këshilltarëve!
Me dokumente të këtilla joprofesionale dhe me sjellje joserioze në takime me përfaqësues qeveritar dhe ndërkombëtarë jo vetëm që pamundësohet arritja e vlerësimit të saktë të numrit të Shqiptarëve në Serbi, por po vazhdon skajshmërisht të degradohet pozita e qytetarëve të komunës së Preshevës por edhe e Shqiptarëve në Serbi, thuhet në deklaratën e Kryetarit të PVD – së dhe Deputeti Popullorë, Riza HALIMI.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com