Halimi: Materniteti i kompletur por mbetet i mbyllur!

0

Me organizim të zyrës së deputetit popullorë të premten më 13.02.2015 në sallën e Kuvendit Komunal u mbajt debat publik në temën “Gjendja aktuale e shëndetësisë në komunën tonë, me theks të veçant në maternitetin e Preshevës”, në të cilin morrën pjesë një numër i konsiderueshëm i mjekëve të Preshevës e Bujanocit, anëtarë të Shoqatës së mjekëve të Luginës, këshilltarë të Kuvendit Komunal të Preshevës, si dhe të interesuar të tjerë për këtë temë të rëndësishme.

4Krejt në fillim debatin e hapi deputeti popullorë me ç`rast i falënderoi të pranishmit duke elaboruar raportet me pushtetin lokal dhe mospërfilljen e kërkesës së deputetit nga pushteti lokal i Preshevës për hapjen e zyres së deputetit në kuadër të hapësirave të objektit komunal. Përveç tjerash deputeti tregoi se debati mbi maternitetin po e hap një seri debatesh publike me të gjithë akterët që ndikojnë në gjendjen socio-ekonomike në komunën e Preshevës duke paralajmëruar debatin pasues në lidhje me gjendjen e arsimit para se të fillojnë procedurat kuvendore për ligjin e ri për tekstet mësimore. Gjithashtu deputeti Halimi shprehi keqardhjen për mospjesmarrje në debat të personave përgjegjës për gjendjen e shëndetësisë në komunë të Preshevës si drejtorit dhe zv.drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit, kryetarit të Kuvendit, kryetarit dhe zv.kryetarit të Komunës.

PVD-materniteti

Në këtë debat u diskutua për situatën paradoksale të krijuar lidhur me maternitetin e Preshevës, i cili edhe pas investimeve prej 150 milion dinarë, vazhdon të jetë i mbyllur. Po vazhdon të mos punojë ky institucion shumë i rëndësishëm shëndetësorë edhe 25 vite pas mbylljes, edhepse rikonstruimi shumë i kushtueshëm i objektit është kryer qysh në korrik të vitit 2013, kurse pajisjet në lartësi prej 250.000 euro u siguruan nga Delegacioni i Unionit Evropian në fund të janarit 2014. Me këtë rast u rikujtua se në solemnitetin e inaugurimit të objektit të maternitetit dhe kompletimit të pajisjeve, ishte caktuar 1 prilli i vitit 2014 si datë e fillimit të punës së maternitetit, ndërsa në korrik të vitit të kaluar inspeksioni shëndetësorë kishte dhënë lejen përkatëse të punës. Andaj edhe ministri i shëndetësisë në përgjigjen me shkrim që i kishte dhënë deputetit konfirmonte atëherë se janë plotësuar të gjitha kushtet, madje se Shtëpia e Shëndetit në Preshevë disponon edhe me kuadër adekuat për të filluar punën materniteti. Mirëpo, mjerisht edhe gjashtë muaj pas kësaj deklarate të ministrit materniteti i kompletuar po mbetet i mbyllur!

PVD-materniteti-1

Në debat u paraqitën probleme shumë të rënda me të cilat ballafaqohen shtëpitë e shëndetit në Preshevë e Bujanoc si në aspekt material e posaçërisht u potencua mungesa e pajisjeve të domosdoshme shëndetësore. Gjithashtu u theksua redukimi i veprimtarisë shëndetësore në këto shtëpi të shëndetit, siç janë mbyllja e shërbimit higjeniko – epidemiologjik, por edhe eliminimi i punës së specialistëve të kirurgjisë orale dhe protetikës. Me shqetësim u konstatua se edhe shërbimet ekzistuese për shkak të amortizimit të pajisjeve të domosdoshme, i kanë të limituara skajshmërisht mundësitë për t’i ofruar shërbimet përkatëse shëndetësore pacientëve. Gjatë diskutimit gjithashtu u konstatua se objekti i ri i ndërtuar në shpejtësi për nevojat e praksës së përgjithshme, nuk i plotëson standardet minimale shëndetësore. Në përfundim të debatit u vendos që Shoqata e mjekëve të Luginës të përpiloj një dokument gjithëpërfshirës të problematikës së diskutuar me të cilin do të njoftohet Ministria e shëndetësisë. Ndërsa nga pushteti lokal të kërkohet seancë e jashtëzakonshme, në të cilën me pjesëmarrje të përfaqësuesëve të Ministrisë së shëndetësisë të shqyrtohet problemi i Maternitetit dhe gjendja aktuale shëndetësore në komunë të Preshevës. Në rast të mospërfilljes së këtyre kërkesave nuk u përjashtua edhe varianti i organizimit të peticionit të qytetarëve lidhur me këtë problematikë.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com