Haga kërkon rikthimin e Sheshelit në burg

1

Haga kërkon rikthimin e Sheshelit në burg

Prokurorët në gjykatën e Hagës i kërkuan liderit nacionalist serb Vosjilav Sheshel, i liruar për t’u kuruar nga kanceri, të kthehet në burg, pasi fjalimet e tij të ashpra ngjallën zemërim të madh, shkruan Gazeta Express.

Ditën e hënë, prokuroria i paraqiti një mocion Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për Ish-Jugosllavinë, duke kërkuar që lirimi i përkohshëm i Sheshelit të revokohet pasi lideri i Partisë Radikale serbe tha ai s’do të kthehet më kurrë në Gjykatën e Hagës për të përfunduar gjyqin e tij.

Kryeprokurori Serge Brammertz u shpreh në mocion se ‘besimi i gjykatës për sjelljen e Sheshelit ishte i pabazë’.

“Ai ka treguar qartë së gjendja e tij shëndetësore nuk e pengon që të bëjë deklarata të papranueshme publike, të cilat janë fyese dhe ofenduese për komunitetet e viktimave. Ai gjithashtu bëri publike deklarata që vënë në dyshim vlerësimin e Dhomës Gjyqësore për gjendjen e tij tejet të rëndë shëndetësore,” tha Brammertz.

Gjykata urdhëroi lirimin e përkohshëm të Sheshelit muajin e kaluar, për shkak të gjendjes së tij të dobët shëndetësore, por që kur është kthyer në Beograd, ai ka udhëhequr protesta nacionaliste dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra të cilat kanë zemëruar viktimat e luftës.

Brammertz tha se Shesheli duhet të kthehet në Hagë, ku duhet të mbahet një seancë dëgjimore për të diskutuar “kushtet e rrepta për të rregulluar ndonjë lirim të ardhshëm të përkohshëm”.

Shesheli është mbajtur në burg që prej vitit 2003, kur ai u dorëzua me dëshirë. Ai po gjykohet për krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Serbi,

Vendimi për çështjen e tij ishte programuar të merrej në tetor të vitit të kaluar, por u shty pasi njëri nga gjykatësit u hoq, sepse dyshohej për njëanshmëri.

Gjykatësit të ri pritet t’i duhet deri në fund të qershorit të vitit 2015 që të familjarizohet me detajet e çështjes, duke shkaktuar kështu edhe një tjetër vonesë në gjyqin maratonë. (INA)

Shpërndaje në rrjetet sociale.

1 Koment

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com