Grupi për Vizat nesër vjen në Kosovë
08:23 | 24 Shtator 2018

Grupi Punues për Vizat (COWEB), i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian, nesër dhe pasnesër do të qëndrojë në Kosovë për të parë nga afër punën që është bërë nga institucionet kosovare sa i përket reformave, posaçërisht rreth sundimit të ligjit dhe të aspekteve tjera që ndërlidhen me këtë proces.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë për gazetën “Zëri”se Kosova ka përgatitur të gjitha materialet përkatëse për ta njoftuar këtë Grup rreth punëve që janë bërë.

Në anën tjetër, deputetë të subjekteve opozitare thonë se shpresojnë se ky Grup do të konstatojë se qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin pa viza.

Ndërsa njohës të proceseve integruese thonë se Grupi Punues për Vizat është filtri i parë i vendimmarrjes për liberalizim brenda Këshillit të Ministrave.

Pas mbështetjes nga COWEB çështja e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën kalon në nivelin e ambasadorëve, që njihet si COREPER dhe në fund kërkohet miratimi nga ministrat e vendeve anëtare të BE-së.

Aurela Hoxha