“Grali i Shenjtë” në trojet shqiptare!? (Video)

0

Ka mbi dy javë që në faqet e “Vid.me” shfaqet një link që na kujton gjendjen e mjeruar në radhët e arkeologjisë sonë, e cila ka 25 vjet që është lënë në mëshirë të fatit nga çdo lloj qeverie. Në video shfaqen disa njerëz të papërgjegjshëm, të cilët duke u bazuar në një hartë në gjuhën greke, zbulojnë “Kupën e Lotëve” të antishqiptarit Shën Kozmait. Pasi e “zbulojnë”, ata fillojnë me një thikë të heqin dyllin e bletës me të cilin është mbështjellë “Kupa e Lotëve”. Por, studiuesi mbishkrimeve të vjetra, Altin Kocaqi, thotë se “Kupa e Lotëve” është një prodhim shumë i vjetër, përderisa sipër saj shkruhet me shkrimin kuneiform të sumerëve. Çfarë mund të jetë kjo? Grali i Shenjtë? Shkrimin e Kocaqit mund ta lexoni më poshtë.

ldquo-grali-i-shenjt-euml-rdquo-n-euml-trojet-shqiptare-video_hd

Çfarë tregon harta?

Harta tregon vendin ku ishte fshehur “Kupa e Lotëve”, skicën dhe inventarin e saj të shoqëruar dhe me një përshkrim të hollësishëm poshtë saj.

Shkrimi poshtë saj tregon se “pasi gjetën kufomën e Shën Kozmait, vunë re se mungonin disa kocka nga trupi i tij, të cilat, siç duket, i kishin marrë nxënësit e tij”. Po ashtu mungonte dhe Kryqi me “Kupën e Lotëve”. Thuhet se studiuesi i njohur, Camilio Prashniker, është ai që ka marrë kurorën që ishte bashkë me Kupën dhe Kryqin e Kupës.

Kupa dhe Kryqi janë fshehur në një vend, por Kryqi nuk është gjendur. Kjo del edhe në video e këtë më thanë dhe gjuetarë thesaresh që janë në dijeni të kësaj ngjarje. Sipas këtyre të fundit, Kupa nuk është shitur ende…. e kërkojnë grekët, por ngulin këmbë që më parë t’ua tregojnë vendin ku është gjetur. Kjo i shtyn gjuetarët e thesareve të mendojnë se meqenëse po këmbëngulin grekët për vendin, atëherë diçka më e madhe fshihet.

Thuhet se kjo Kupë u mor për t’u nisur në “Malin e Shenjtë” në Athos, por nga rreziku i turqve u ndalën në Çorovodë dhe saktësisht në “Varrin e Murgut” (shih hartën), e fshehën aty. Shkrimi tregon se “Kupa e Lotëve” është mbështjellë me “dyllë blete” dhe brenda saj gjenden tre monedha me vrimë, si një gur kozmik. Kupa ka gjatësinë 25,5 cm dhe peshon 280-300 gramë, ndërsa nuk është e artë.

Po ashtu, në këtë shkrim shkruhet se “Kupa e Lotëve” i është dhuruar Shën Kozmait nga Patriarku i Stambollit, ndërsa është shkruar me një shkrim të shenjtë kuneiform (shkrim me gdhendje në formë kunjash, si shkrimet sumerikee). Në fund të përshkrimit ka një pjesë të prerë, e cila tregon – me ç’duket – vazhdimësinë, punën në vijimësi të këtyre “arkeologëve”.

Në anën fundore të “Kupës së Lotëve” është shkruar viti 1764 me një kryq. Ky shënim është i mëvonshëm dhe i bërë me një teknikë tjetër që nuk ka lidhje me teknikën me të cilën është ndërtuar “Kupa e Lotëve”, gjë që tregon ndërhyrjen e mëvonshme. Harta duhet të jetë punuar në vitet 1815-1817, pasi këto dy data figurojnë në shënimin mbi hartë.

Mendimi im si studiues i mbishkrimeve të vjetra, është se “Kupa e Lotëve” është një prodhim shumë i vjetër, përderisa sipër saj shkruhet me shkrimin kuneiform të sumerëve, i cili është një nga shkrimet më të vjetra të botës që daton nga 4500 para Krishtit dhe që vjen si i tillë deri në qindvjeçarët e parë para Krishtit.

Vetë shënimi në hartë e cilëson atë “të shenjtë” dhe kjo na shtyn të besojmë se kemi të bëjmë me një “Kupë” që është mbajtur si e tillë që nga kohët më të vjetra dhe është trashëguar si e tillë, dorë pas dore.

Në vendin tonë, Prof. Dr. Dhimitër Pilika dhe Prof. Dr. Moikom Zeqo, kanë sjellë dokumente për “Kupën e Shenjtë” të gdhendur në Gjirin e Gramës dhe të njohur si “Kupa e Gralit”, nga e cila pretendohet se ka pirë verë edhe Krishti.

E dhëna tjetër është edhe më domethënëse, pasi ajo vjen nga historiani anglez Jason Godwin në librin e tij me titull “Guri i Gjarprit”, i sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese “Saras”. Aty thuhet se “Kupën e Krishtit e mbronin shqiptarët”

Unë nuk dua të përcaktoj as njërën dhe as tjetrën si teori më të qenësishme e prevalente. Thjesht në përmbushje të kontributeve e detyrave që lidhen me punën time, dua të informoj e të debatoj lirisht me ftohtësinë e një njohësi të fushës dhe të shpresoj që të mos u lihet kaq shumë rrugë e lirë spekulantëve e pseudoarkeologëve.

Nëse kjo “kryevepër” do vendosej në Muzeun tonë Kombëtar, apo atë arkeologjik të Tiranës…. shumë shpejt miliona turistë do vraponin ta shijonin atë nga afër, pa iu shmangur sidoqoftë diskutimeve të mëtejshme profesionale për vërtetësinë e tezave të pretenduara, çka do ta nxiste edhe më shumë kërshërinë në radhët e tyre. Sidoqoftë, më parë ajo duhej “pronësuar” e trajtuar me kujdes profesional të veçantë. /Telegrafi/

https://www.facebook.com/sharer/sharer.php?u=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Ftelegraficom%2Fvideos%2F1099752236707818%2F&display=popup&ref=plugin

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com