Graçanica emërton rrugët me terma që shkaktojnë ndasi etnike

0

Komuna e Graçanicës ka emërtuar së fundi disa nga rrugët e saj me terma që janë politikisht dhe ligjërisht jo korrekt dhe që shkaktojnë ndasi etnike.

Kosovo MethojskaPërpjekjet për pajtimin ndëretnik dhe ndërtimin e besimit nuk kanë prekur shumë trashëgiminë e së kaluarës, nëse shihen emërtimet në rrugët e Graçanicës. Beteja për ndasitë etnike, nxitjen e urrejtjes dhe mos tolerancës mes nacionaliteteve vazhdon ende në nivelin institucional.

Komuna e Graçanicës ka vendosur në zemër të qytetit termin “Kosova i Metohija”, në njërën nga rrugët kryesore të saj. Karshi saj janë emra të tjerë, që i kundërvihen plotësisht nocionit të pajtimit ndëretnik. E këto janë emërtimet “24 Marsi” dhe “17 Marsi”. E para lidhet me ditën kur Aleanca Veri-Atlantike vendosi të bombardonte Serbinë, për shkak të dhunës dhe spastrimit etnik në Kosovë. E dyta “17 Marsi”, lidhet me trazirat që përfshin Kosovën në vitin 2004, ku u vranë 25 njerëz, nga të cilët 21 ishin shqiptarë.

Të ndarë në pikëpamjet e tyre, për domethënien, janë po ashtu banorët e rrugës “Kosovo i Metohija”. Dasho Vujiq tregon ndjesinë e tij, për emërtimin. ”Kosova e Metohi”, do të thotë vendlindja ime. Ndryshe nuk di ta shpjegoj”, i thotë ai Radio Kosovës.

Ky term flet krejt diçka tjetër në shpjegimin e banorit tjetër Dragolub Periq.

”Kosovë e Metohi, siç quhet kjo rrugë, do të thotë është sinonim i Serbisë. Kjo do të thotë që Kosova është në kuadër të Serbisë, që është krahina jugore e Serbisë. Këtu jeton edhe populli serb. Nuk jetojnë vetëm shqiptarët, jetojnë serbët dhe nacionalitetet tjera“, thotë ai.

Megjithatë në nivelin zyrtar i pari i kësaj komune Branimir Stojanoviq ende po konsideron se emërtimet janë bërë pa qëllimin për ta ofenduar dikë.

“Sa i përket emërtimit të rrugëve për këtë kanë vendosur qytetarët. Nuk mund të them nëse këto emërime janë të lidhura drejtpërdrejt me ato ngjarje. Ne kemi zhvilluar mjaft debate publike, njerëzit kanë thënë propozimet e tyre, sidomos ata që kanë jetuar në lagje të caktuara, dhe në këtë mënyrë ndikimin më të madh në emërtimin e një rruge e kanë vetë qytetarët”, ka thënë Stojanoviq.

Por, kur është fjala te ndasitë etnike dhe mesazhi i këtyre rrugëve për pajtimin ndëretnik dhe bashkëjetesën Stojanoviq thotë se po të ishte për emërtime do të kishte vend për debate, sa u përket emërtimeve që janë bërë pas lufte.

“Nuk është korrekte që çështja e emërimit të rrugëve në Gracanicë të nxirret nga konteksti i përgjithshëm. Nëse analizohen emërtimet në Kosovë atëherë do të kishte mjaft mospajtime mes shqiptarëve dhe serbëve, se në bazë të cilëve persona apo data duhet të bëhen emërtimet e rrugëve dhe shumë gjëra do të ishin problem. Nuk ka asnjë qëllim të ofendimit për askënd, qytetarët kanë vendosur kësisoj”, ka thënë Stojanoviq.

Ligji për emërtimin dhe sistemimin e adresave nuk parasheh ndonjë dispozitë që ndalon emërtimin e hapësirave publike që të mbajnë emra që mund të nxisin urrejtje apo ndasi ndëretnike. Të paktën jo të definuara saktësisht. Kësisoj duket që komuna e Graçanicës nuk ka pasur shumë pengesa për të përdorur terma dhe data të tilla në emërtimin e rrugëve. Përveç kësaj as Ministria e Pushtetit Lokal, që është e thirrur të jep interpretimin e ligjshmërisë së emërtimeve publike “nuk i ka parë ende këto terma”.

Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal thotë se është krijuar një komision për të parë emërtimet e rrugëve të Graçanicës dhe nëse konstatohen emërtime që nuk janë në pajtim me ligjin do të kërkohet ndryshim vendimi.

”Emërtimet e rrugëve nuk guxojnë që të japin një mesazh me të cilin do të ndihej i fyer një komunitet i caktuar’, ka thënë Osmani.

Naim Rashiti, një njohës problemeve ndëretnike thotë se më problematike është takimi i presidentes së Kosovës dhe zyrtarëve të tjerë me përfaqësuesit e listës “Srpska” në Parlamentin e Serbisë sesa termat e ndasive ndëretnike.

“Edhe Pakoja e Ahtisarit e definon se serbët dhe shqiptarët e mund të jetojnë afër njëri tjetrit në një shtet multietnik, por nuk mund të bëhet shoqëri multietnike dhe kjo e definon jetën politike të serbëve dhe shqiptarëve edhe për shumë dekada me radhë”, ka thënë Rashiti.

Pakoja e Ahtisarit mbi bazën e së cilës është themeluar komuna e Graçanicës është interpretuar si pako e kompromiseve dhe zemërgjerësisë së Kosovës, karshi pakicave, në zemër të së cilave është orvatja për integrim të komuniteteve dhe pajtimin ndëretnik.

Sidoqoftë, përtej termave dhe interpretimeve, për tek sheshi i bashkëjetesës dhe integrimit ndëretnik ende nuk të shpien rrugët e Graçanicës./rtk/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com