Goli i Mensurit i solli ekipit të Dritës tri pikë

0

Një gol i bukur i Mensur Limanit, i shënuar në minutën 71, i kanë sjell ekipit të Dritës tri pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë, kurse fitorja është edhe më ëmbël pasi u shënua ndaj liderit të Superligës, Ferronikelit nga Drenasi, i cili tash e 20 xhiro nuk diti për humbje. Drita – Ferronikeli 1:0 (0:0).

mensuri
Mysafirët patën disa mungesa në përbërje e vendasit patën një paraqitje shumë të mirë, me shumë raste, por me vetëm një gol të shënuar.

Në fillim të ndeshjes, pasi ka kaluar një çerek ore, Drita ka rrezikuar nëpërmjet Mensur Limanit, i cili dhe një gjuajtje të furishme nga goditja e dënimit, por topi për pak centimetra shkoi jashtë shtyllës. I njëjti lojtar, ka dhënë një gjuajtje përafërsisht të njëjtë, por tashti nga largësia më e madhe dhe sërish për pak nuk ishte i saktë.

Në pjesën e dytë, Drita pati edhe më shumë raste e musafirët vetëm një të tillë. Në minutën 45, pas harkimit të Kelmendit, A. Limani gjuajti me kokë, por Kolshi i mysafirëve priti për mrekulli. Në minutën 69, mysafirët për pak sa nuk kanë shënuar, edhe atë në rastin e parë të mirë që e kishin. Zëvendësuesi Demaku ishte i vetmuar para Latifit, por ai për pak nuk ishte i saktë.

Në aksionin vijues Osmani shpërtheu nga e djathta, harkoi për Ramushin, por qendërsulmuesi i rryer gjilanas nga afërsia me kokë për pak gjuajti jashtë shtyllës. Një minutë më pas erdhi goli i gëzimit. Mensur Limani, lojtari më i mirë i ndeshjes ka shënuar një gol të mrekullueshëm. Ai nga largësia 17 metra, me një gjuajtje të fortë ka qëlluar tërthorësen e prej aty topi është futur në rrjetë. Deri në fund të ndeshjes, Drita diti t’a ruaj rezultatin dhe pas një kohe të gjatë ka fituar tri pikë të reja.

Është për t’u theksuar se Drita është bojkotuar nga adhuruesit e saj të flaktë “Intelektualët”, kurse ekipi vendas në këtë ndeshje është paraqitur pa kryetrajnerin e deridjeshëm, Sedat Pajaziti, i cili ka dhënë dorëheqje.

Theksuan pas ndeshjes:

Afrim Shahini (Drita): “Lojë e mirë e ekipit tonë dhe angazhim shumë i madh. Patëm shumë raste, por e konkretizuam vetëm një. Janë tri pikë të mëdha për ne, me të cilat po përpiqemi që t’i shmangemi ndeshjes së barazhit. Vendimtare do të jenë ndeshjet e radhës, kur ballafaqohemi me kundërshtarët e drejtpërdrejtë për mbijetesë”.

Gani Sejdiu (Ferronikeli). Nuk u prononcua për gazetarët, ngase pas ndeshjes u fut në zhveshtore dhe nuk u paraqit fare.

Drita – Ferronikeli 1:0 (0:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 100. Gjyqtarë: Genc Nuza, Jakup Musolli, Meriton Berisha, Artan Tahiri. Shënues: Mensur Limani në minutën 71. Kartoni i verdhë: Baxhuku – Olluri.

Drita: Latifi, Osmani, Baxhuku, A. Limani, Tusuni, Kastrati (Sermaxhaj), Ajdari (Ramushi), Kelmendi (Sejdiu), M. Limani, Murati, Syla. Trajner: Afrim Shahini.
Ferronikeli: Kolshi, Doshlaku, Shala (Thaçi), Gërbeshi, Istogu, Shabani (Demaku), Berisha, Bardhi, Olluri (Krasniqi), Elshani, Livoreka. Trajner: Gani Sejdiu./rajonipress/

 

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com