Goditet rëndë morali i CIA-s

0

Uashington – i gjithë opinioni amerikan ka kthyer sytë kah shërbimi sekret CIA, i cili këto ditë ka nxitur debat të ashpër në një raport të Senatit lidhur me metodat e marrjes në pyetje të të burgosurve.

CIARaporti i Senatit për CIA-n ka shkaktuar një debat të ashpër lidhur me shërbimet sekrete amerikane. Drejtori i CIA-s Brennan, duke mbrojtur shërbimin e tij, bie në kundërshtim me presidentin Obama.

“CIA ka tani një problem të madh moral”, thotë eksperti amerikan i sigurisë Harlan Ullman. “Punonjësit e saj mendonin se ata bënin pikërisht atë, që pritej prej tyre. Për tash kjo është një kritikë mbytëse”, shpjegon Ullman duke iu referuar raportit të Senatit amerikan për CIA-n, i cili ka ngritur kundër të shërbimit sekret akuza të rënda për tortura.
Jo vetëm morali i CIA-s është i goditur rëndë, thotë Ullman, i cili ka punuar për NATO-n dhe këshillon disa qeveri perëndimore lidhur me çështjet e sigurisë. Te CIA-s tani është “dëmtuar gjithashtu kapaciteti për të vazhduar të kryejë detyrën e saj”. Sepse në të ardhmen do të bjerë gatishmëria e punonjësve për të vepruar në emër të qeverisë në terrene të paqarta ligjore.
Raporti i Senatit ka bërë të qartë edhe të çarat në qeverinë e presidentit Obama, ndërmjet drejtorit të CIA-s John Brennan dhe Obamës. Ndërsa presidenti i dënon metodat e marrjes në pyetje si “tortura”, të cilat i kishte ndaluar që ditën e dytë të tij si president, Brennan i mbron ato, pa përmendur aspak fjalën torturë.

Për ekspertin e CIA-s në Uashington, James Bamford, ky mohim është “një rast klasik i mohimit psikologjik. Mohim i asaj, që ka ndodhur. Dhe Brennan ishte i përfshirë në të”, thotë Bamford duke patur parasysh pozicionin e dikurshëm të Brennan. Kur kanë ndodhur këto vepra, Brennan ka qenë zëvendësdrejtor i CIA-s.

Brennan tha tani me kokëfortësi në një konferencë për shtyp të thirrur posaçërisht për të, se CIA pas 11 shtatorit ka “bërë shumë gjëra siç duhet”. Ai bie kështu sërish në kundërshtim të fortë me raportin e Senatit, i cili ka ngritur kundër CIA-s akuzën e përgjithshme për torturë dhe tejkalimin e kompetencave. Por Brennan bëri në të njëjtën kohë autokritikë dhe pranoi se disa zyrtarë të CIA-s përdornin metoda “të neveritshme” të marrjes në pyetje.

Fakti që valët e shokut, të shkaktuara nga raporti i Senatit, ndajnë edhe ekipin e sigurisë së presidentit amerikan Barak Obama, dëshmon se sa e thellë është pasiguria. Shumë zyra qeveritare reaguan shumë emocionalisht pas 11 shtatorit dhe atëherë sundonte gati një atmosferë histerie, thotë Joseph Wippl, që ka punuar vetë për CIA-n. “Ekzistonte përshtypja se e gjitha kjo kishte mundur të ndodhë për shkak të dështimeve të shërbimeve sekrete dhe se ata donin ta rregullonin gabimin”, përshkruan ai situatën psikologjike të fillimit.

“Kur ata marrin mbështetjen ligjore për këto masa, atëherë gjërat mund të dalin jashtë kontrollit”, thotë Ëippl. Por për dështimin e drejtimit nuk u dëgjua asnjë fjalë nga drejtori i CIA-s Brennan në konferencën për shtyp.

Siç njofton “New York Times”, duke u mbështetur në raportin e gjerë të senatit, CIA në veprimet e saj i referohet me të drejtë udhëzimeve nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti i atëhershëm George W. Bush, kishte udhëzuar gjashtë ditë pas sulmeve të CIA-s se do të ndjekë dhe do të burgosë të dyshuarit për terrorizëm. Por ai e kishte lënë të hapur se në çfarë mënyre dhe mbi çfarë baze ligjore. Rezultati: një furi aktivitetesh hektike.

Një tjetër rezultat ishte ndërtimi i burgjeve jashtë vendit, me qëllim që të dyshuarit të burgoseshin jashtë zonës së kontrollit të drejtësisë amerikane. CIA punësoi shumë “kontraktorë”, firma të huaja, të cilat mbanin burgjet dhe që kryenin “punët e pista”. Qeveria e SHBA pas sulmeve të 11 shtatorit punësoi në shumë fusha firma të huaja, jo vetëm në shërbimet sekrete, thotë Halkan Ullman. Mungonte thjesht personeli për detyrat e reja. Por për Joseph Wippl kjo është një mënyrë efektive për të fshehur përgjegjësinë: “Nëse je pjesë e një organizate, ke më shumë përgjegjësi dhe mund të të kërkohet më shumë përgjegjësi, sesa kur je një firmë kontraktuese”.

Me 2 shkurt të vitit 2002, presidenti Bush nxori dekretin që të dyshuarit për terrorizëm të Al Kaidës nuk quhen të burgosur lufte dhe si rezultat nuk do të gëzonin mbrojtjen përkatëse. Kështu u hap porta për mizoritë, për të cilat diskutohet sot. Gati dy muaj më vonë Bush sipas “New York Times” e miratoi planin, për të hapur një burg të fshehtë të CIA-s në Tailandë. Atje pastaj një nga të dyshuarit kryesorë, Abu Zubaydah, iu nënshtrua “metodave më të rënda të hetimeve”. Që sipas “New York Times” përfshinin edhe waterboarding.

Në konferencën e tij për shtyp, drejtori i CIA-s Brennan tërhoqi vëmendjen lidhur me reformat, me të cilat në të ardhmen mund të shmangen devijimet, si ato pas 11 shtatorit, transmeton DË. Halkan Ullman është skeptik. “Raporti nuk do të ketë ndonjë pasojë afatgjate. Presidentët bëjnë atë, që duhet të bëjnë. Dhe në qoftë se ata kanë mundësinë e operacioneve të fshehta, atëherë do t’i shfrytëzojnë ato”. Duke patur parasysh historinë, eksperti ka pak shpresë, se kjo do të ndryshojë në të ardhmen: “Dy qeveri amerikane janë përpjekur të vrasin Fidel Castron. Jack Kennedy ka bashkëpunuar me mafian, edhe nëse është absurde .. Kjo është me sa duket është mënyra se si punojnë qeveritë”.

Që kjo me sa duket nuk do të ketë pasoja ligjore për autorët, është për James Bamford indinjuese. Për vrasje dhe tortura deri tani nuk ka dënime. Halkan Ullman nga ana tjetër mendon se kjo është në rregull. “Ata kanë patur mbështetjen dhe miratimin e presidentit dhe aprovimin e ministrisë së Drejtësisë, se kjo është legale. Nëse dikush duhej të ndiqet penalisht, atëherë presidenti”.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com