Gjuriq nënshkruan ‘protokolle’ në Serbi për komuna të cilat i përkasin Kosovës
14:04 | 19 Shkurt 2019

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, ka nënshkruar sot një marrëveshje më nën kryetarin e Beogradit,Goran Vesiç, për bashkëpunim me komunat e Republikës së Kosovës të cilat janë me shumicë serbe.

Siç ka thënë Gjuriq ky bashkëpunim do të jetë në fushën e kulturës, artit, shëndetit, edukimit, infrastrukturës dhe fushave të tjera.

Ky protokoll bashkëpunimi ndërmjet komunave të cilat gjenden në territorin e Republikës së Kosovës dhe qytetit të Beogradit është nënshkruar sot.

Ky protokoll parashikon që “Zyra për Kosovën” dhe qyteti i Beogradit të koordinojnë dhe të sigurojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmë të vazhdueshme dhe të nevojshme për mbështetjen e këtyre komunave me qëllim të përmirësimit të standardeve të jetës të qytetarëve serb të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës.

“Jam shumë i lumtur sot, sepse nënshkruam një marrëveshje  e cila do të na afrojë me njëri tjetrin, që do të thotë se ne jemi për forcimin e bashkëpunimit në mes të komunave tona”, ka thënë Gjuriq, shkruan ‘Novosti”, transmeton Gazeta Express.

E nënkryetari i Beogradit, Vesiç ka thënë se ngjarja dhe nënshkrimi i këtij protokolli, dërgon mesazhe të ndryshme për të gjithë serbët kudo që jetojnë.

“Kryeqyteti i të gjithë serbëve është Beogradi, kështu që Beogradi fillon me këtë veprim, për shkak se ka një detyrim të veçantë, kur serbët janë të shqetësuar, kudo që jetojnë. Ngjarja e sotme do të thotë se ju nuk jeni vetëm”, ka thënë nënkryetari i Beogradit.

Mesazhi i tjetër sipas tij është që serbët kanë nënshkruar një marrëveshje për të bashkëpunuar me njëri tjetrin.

Siç ka shtuar ai, një mesazh shtesë është që Beogradi ka obligime speciale për të gjithë serbët, e sidomos për ata qe jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ky i ashtuquajtur “Protokoll Bashkëpunimi” është nënshkruar ndërmjet 19 bashkësive qeverisëse deh 15 komunave të Beogradit.

Marko Gjuriq është një prej politikanëve më të zhurmshëm serb që kërkon themelimin e Aosciacionit të Komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, gjë që po kundërshtohet fuqishëm nga krerët e shtetit të Republikës së Kosovës.

Kejvina Kthella