Gjuriq i përgjigjet Haradinajt: Mos harro, nuk jemi në vitin 1999
14:19 | 12 Shkurt 2019

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se kush do që hap temën e korrigjimit të kufijve do të konsiderohet armik i popullit shqiptar.

Ai ka thënë se Haradinaj duhet ta kuptojë se nuk është sot në vitin 1999.

“Duket se nuk mungon papërgjegjshmëria tek shqiptarët. Nuk jemi në vitin 1999 dhe gjithnjë e më tepër njerëz në botë e dinë të vërtetën e krijimit të Kosovës si dhe angazhimi i tyre në politikë”, deklaroi Gjuriq për “TV Pink”, transmeton lajmi.net.

Ai ka theksuar se Serbia nuk mund të zgjedhë se kush i përfaqëson shqiptarët por duhet të ketë kujdes që interesat e saj të mbrohen dhe që në kuptimin ekonomik dhe politik të shfaqet gjithnjë e më e fuqishme.

“Deri para disa vitesh tema e Kosovës ka qenë e kryer për shumicën e anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare. Falë betejës në kuptimin politik të cilën kryesisht e ka udhëhequr presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë, sot situata është tjetër dhe tani në botë flitet rreth asaj se si duhet të arrihet një zgjidhje për Kosovën, statusin dhe territorin”, u shpreh ai, transmeton lajmi.net.

Gjuriq po ashtu ka theksuar se në Beograd në vitet e fundit është arritur të përmbyset trengi i njohjeve të Kosovës. “Kurrë nuk duhet ta humbim nga shikimi se sa e vështirë është pozita në të cilën gjendemi. Detyrimi ynë është që pa marrë parasysh vështirësitë, të luftojmë”, përfundoi ai. /Lajmi.net/

Rina Balaj