Gjermania i bën thirrje Kosovës ta shfuqizojë taksën dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë
13:15 | 19 Mars 2019

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb, ka thënë se shteti i tij e mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për mediet serbe, ambasadori Thomas Schieb, ka thënë se pret që formati i dialogut të mos ndryshoj dhe i ka bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë taksën.

Schieb në këtë intervistë po ashtu ka thënë se rezultati i dialogut duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e pranueshme dhe e zbatueshme për të dyja palët.

“Marrëveshja duhet të bazohet në parimet e multietnicitetit, për të siguruar të drejtat e pakicave dhe standardet demokratike dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal”, ka thënë ambasadori Schieb.

Ambasadori përshëndeti progresin e bërë deri më tani në dialog, si liria e lëvizjes, njohja e ndërsjellë e diplomave, si dhe progresi në fushën e telekomunikacionit dhe drejtësisë, i cili, siç tha ai, ka përmirësuar standardin e jetesës së serbëve dhe shqiptarëve .

Ai shtoi se Serbia dhe Kosova, për të arritur zgjidhje të tilla, duhet të ulen dhe të negociojnë.

“Ne shpresojmë që dialogu do të vazhdojë, kështu që ne i inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të shfuqizojnë taksën e cila shkel marrëveshjen e CEFTA-s dhe ne inkurajojmë të dyja palët që të përmbahen nga puna që mund të minojnë dialogun”, citohet të ketë thënë Schieb, transmeton më tutje lajmi.net.

Schieb gjithashtu deklaroi se qeveria gjermane është e vendosur për integrimin evropian të Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor, por theksoi se procesi i pranimit varet nga reformat dhe se disa kushte duhet të përmbushen.

“Këto kushte janë të njohura: reformat në fushën e sundimit të ligjit janë një prioritet i qartë, po flasim për reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, kushtet më të mira për punën e gazetarëve dhe ligjet e mira që mbrojnë qytetarët. Sa më shumë që këto reforma të zbatohen, aq më shumë kapituj do të hapen”, tha Schieb.

Ai kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një kusht tjetër për pranimin e Serbisë në BE. /Lajmi.net/

Kejvina Kthella