Gjermani: Adoleshentit i konfiskohet patenta e shoferit vetëm 49 minuta pasi e mori
17:50 | 21 Nentor 2018
Një adoleshent ka humbur të drejtën për vozitje vetëm 49 minuta pasi e fitoi atë, ka njoftuar policia në Gjermani.

18-vjeçari ishte duke u kthyer nga testi i suksesshëm i vozitjes, kur policët në Hemer e zunë duke shkelur rregullat.

Ai po udhëtonte me shpejtësi dy herë më shumë se limiti i lejuar – 95 kilometra për orë në zonën ku lejohej vetëm deri në 50 kilometra për orë.

“Disa gjëra zgjasin përgjithmonë – disa as një orë”, ka thënë Policia e Gjermanisë.

Djaloshi kishte katër shokë në veturë dhe u spekulua se ai po donte të impresiononte miqtë me aftësitë e tij të vozitjes, raporton BBC.

Tani përballet me dënim të rëndë. Zyrtarisht i është ndaluar vozitja për katër javë, ndërsa policia ka thënë se mund t’ia kthejë patentën e shoferit vetëm pas një “ritrajnimi të shtrenjtë”. Ai përballet edhe me gjobën prej 200 eurosh, dy pikëve në patentë dhe periudha e testimit si shofer i ri është zgjatur nga dy në katër vjet./Foto: GettyImages/

Kristin Prengaj