Garda e Iliridës a është në Malin e Sharrit

0

Garda e Iliridës a është në Malin e Sharrit

Garda për “Republikën e Iliridës” është parë duke patrulluar në Malin Sharr, ka shkruar sot portali Shqipmedia nga Tetova.

Sipas portalit, banorë të rajonit të malësisë së Sharrit, nga Tetova deri në Jazhincë kanë hasur në ushtarë të gardës së Iliridës.

“Ndërsa gjatë së djeshme në rrugën Tetova-Jazhincë janë parë dy transportues ushtarak të Policisë Speciale të Maqedonisë që nga pas konflikti i 2001 kjo ka qenë një gjë e rrallë”, konfirmojnë për Shqipmedia banorët e kësaj ane.

Hamdi Ndrecaj, që thotë se është gjeneral i kësaj ushtrie ka theksuar për portalin tetovar se patrullat e gardës kanë legjitimuar disa banorë në Malësinë e Sharrit dhe asgjë më shumë.

“Qëllimi ynë nuk është popullata shqiptare por ata do të reagojnë vetëm nëse aparati shtetëror sllav do të përdor forcë ndaj popullatës. Stafi civilo-vëzhgues i gardës është i shtrirë në tërë territorin e Iliridës më përjashtim të Manastirit dhe Prilepit”, theksoi Ndrecaj për Shqipmedia.

Shqipmedia kontaktoi zëdhënësin e Policisë së Tetovës Marjan Josifovski për të konfirmuar ndonjë rast të ndalimit të banorëve nga Garda e Iliridës mirëpo një gjë e tillë nuk është paraqitur deri sot në Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës.

Në pyetjen tonë se pse patrullon një transportues luftarak i Policisë në rrugën Tetovë-Jazhincë, zëdhënësi Josifovski na tha se ai patrullim nuk është nga Sektori për Punë te Brendshme i Tetovës por ndonjë aktivitet i njësive tjera të Policisë së Maqedonisë.

Deklarohet zëvendësministri i MPB-së

Prezenca e dy personave të veshur me të zeza që kanë legjitimuar qytetarë në rajonin e Tetovës është konfirmuar edhe nga drejtues të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili ka thënë për portalin “Zhurnal”, se të dielën është konfirmuar se dy persona ende të panjohur kanë keqtrajtuar disa qytetarë në këtë rajon.

“Ka pasur një rast të identifikuar që ka ndodhur të dielën e kaluar, kur edhe kam komunikuar me kryeshefin policor të Tetovës. Megjithatë ata persona nuk kanë pasur ndonjë emblemë, ndërsa kanë kërcënuar punëtorët e Ujësjellësit të Tetovës”, ka thënë Qamili.

Por, Qamili ka deklaruar se ata nuk janë prezantuar si anëtarë të ndonjë garde, siç është duke u spekuluar se ata janë anëtarë të Gardës së Iliridës.
“Po spekulohet shumë edhe në Facebook. Mendoj se nuk meriton që t’i jepet shumë vëmendje, t’i jepet shumë publicitet. Njerëzit këtu i rrisin goxha shumë gjërat”, ka deklaruar Qamili.

Zv/ministri Qamili nuk beson se kjo ngjarje mund të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike.

“Megjithatë, ne si ministri kemi ndërmarrë të gjitha masat në bazë të ligjit. Do të vazhdojmë të mbledhim informata. Jemi duke e përcjellë situatën. Në aspektin policor kjo nuk është situatë shqetësuese”, theksoi zëvendësministri Qamili. (INA)

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com