Francezi ia dha serbit planet e bombardimit: Kështu sulmet e NATO-s u shtynë për gjashtë muaj

0

Bombardimi i NATO-s kundër forcave ushtarake e policore serbe në mbrojtje të popullatës civile në Kosovë, që filloi më 24 mars 1999, ka mundur të ndodhte gjashtë muaj më herët, po të mos i prishte këto plane gjeneralmajori serb, Jovan Millanoviq.

Image

Ai është mbështetur tek majori francez Pierre-Henri Bunel, po ashtu pjesë e inteligjencës franceze, i cili kishte siguruar skicat për caqet e sulmit të aeroplanëve të NATO-s. Millanoviq, në botimin e plotësuar të librit të tij “Serbia dhe NATO”, thotë se më 1995 kishte detyrë të jetë spiun në Bruksel, në selinë e NATO-s, por nën postin zyrtar si këshilltar-ministër në Ambasadë, që të ndërtojë një rrjet informimi që do të zbulonte planet e NATO-s, shkruan Kurir, transmeton Telegrafi.

“Unë jam ndoshta një nga njerëzit e paktë në Serbi, një nga oficerët apo gjeneralët, si të doni ju, që më së gjati ishte në luftë me NATO-n. Rrjeti informativ që kam formuar, po ju them për herë të parë, kishte mbi dhjetëra njerëz të rangut më të lartë diplomatik në NATO dhe në misionet tjera diplomatike në Bruksel”, thotë ai.

Ai thotë se në këtë e ka ndihmuar ushtaraku i sipërpërmendur francez.

“Informacionin e parë që kam pasur nga ai e kam kontrolluar në dy ose tre anët, dhe pastaj kam filluar t’i jap detyra. Ai u fut në lojën e spiunimit, shumë i sinqertë dhe i vetëdijshëm për të gjitha pasojat”, thotë Millanoviq, i cili thekson se përgatitjet për sulm në NATO janë bërë gati më 1998 dhe se vendimi për sulm është dashtë të merret më 12-13 tetor.

Këto informata e këto plane të NATO-s ia kishte dërguar Bunel atij në banesë.

“I kemi analizuar në mbrëmje dhe pastaj u ndamë duke menduar se që të dy atë natë do të arrestohemi. Për mua atëherë nisi ferri. Çfarë të bëj me letrat? Ku të shkoj në ora 11:30? Si t’i barti ato? Dola te dalja nga kontejnerët. Hodha një qese e tjetrën e barta. Në Ambasadë kam përpunuar dokumentet, siç kërkon procedura, dhe i dërgova në Beograd”, thotë ai, duke shtuar se në bazë të këtyre informatave bëhet ripozicionimi i forcave serbe, për çka shtyhen bombardimet e NATO-s. /Telegrafi/

Image

 

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com